Gjykata e Tiranës zbardhi vendimin e dënimit të ish-kreut të Gardës së Republikës Xhahit Xhaferri dhe ish-vërtësit të tij, Arjan Çenga për ngjarjet e vitit 1997.
Xhahit Xhaferri u dënua me 12 vite burgim, për akuzën e rebelimit në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme, dezertimit, shpërdorimit të armatimit, shpërdorimit të detyrës nga ushtaraku, ndërsa Arjan Çenga u dënua me 10 vjet burg për rebelim.
Dy të dënuarit kryen veprën e tyre penale në ngjarjet që pasuan masakrën e Cërrikut. Xhaferri dhe Çenga kanë qenë në krye të operacionit në Cërrik, ku humbën jetën gjashtë gardistë si pasojë e përleshjeve të armatosura me banorët.
Të plagosurit në radhët e Gardës janë transportuar menjëherë në Spitalin Ushtarak. Këtu nis edhe pretendimi i pabazuar në fakte konkrete se si pasojë e moskujdesjes së mjekëve në Spitalin Ushtarak më datë 25 maj 1997 kishte vdekur njëri nga të plagosurit rëndë, efektiv i Gardës së Republikës. I pandehuri Arjan Çenga, duke qenë brenda territorit të Gardës së Republikës, në biseda me komandantin e Gardës Xhahit Xhaferri dhe me miratimin e tij, kanë dalë dy transportues të blinduar, me drejtim lëvizje për në Spitalin Ushtarak.
Këta transportues të blinduar drejtoheshin nga Deli Musta dhe Gëzim Hajdini. Në ato mjete kanë hipur forca të Gardës së Republikës të veshur me uniformë ushtarake, civile, të armatosur kryesisht me armë luftarake automatikë dhe pistoleta. Ishin mbi 10-15 forca efektive të kompanisë operative nr.2. Ato drejtoheshin nga Arjan Çenga, ku ky i fundit ishte përpara me mjet veture, kurse nga pas me drita të ndezura që presupozonin “raste urgjente” shkonin dy autoblindat.
Rreth orës 10:00 ata ndodheshin para derës kryesore të hyrjes për në Spitalin Ushtarak dhe u futën brenda territorit. Një pjesë prej tyre, pasi kanë dalë nga mjetet e blinduara, të indinjuar dhe me veprime të pakontrolluara, pa shkaqe të faktuara, vetëm të dëgjuara “që sipas tyre shokët e plagosur po ju vdisnin, pasi personeli mjekësor nuk interesohej për ta, personeli mjekësor u kërkonte mjete monetare, me qëllim për t’u interesuar për çdo prej tyre”, kanë filluar të qëllojnë me armë luftarake në ajër me breshëri dhe në drejtim të murit te fasada ballore kryesore e Spitalit Ushtarak.
Top Channel