Kriminaliteti i të miturve

01/06/2014 00:00

Për pesë vjet janë dënuar nga gjykatat me shërbim prove 1680 të mitur në të gjithë vendin, ndërkohë që rreth 500 të tjerë raportohet se vijojnë të jenë të dënuar me kusht.

Por, ndërsa shërbimi i provës është përfshirë në një fushatë sensibilizuese në shkolla, sikurse ky takim në qytetin e Durrësit e që synon të edukojë fëmijët për të qëndruar larg sjelljeve  kundravajtëse apo ngjarjeve kriminale, me rastin e 1 Qershorit zyrtarët e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve kanë zbarkuar në Institutin e të Miturve në Kavajë, burg në të cilin mbahen 31 të mitur.

Edhe pse gjatë amnistisë burgu i Kavajës pothuajse u boshatis pasi mbi 20 të mitur fituan lirinë, sërish këto ambiente janë mbushur me të mitur që janë kapur nga policia kryesisht për vjedhje apo plagosje.

Duke synuar riintegrimimin e këtyre fëmijëve, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka lidhur një marrëveshje me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar për përfshirjen e fëmijëve në burgun e Kavajës në sportin e xhudos, me instruktore kampionen Irina Elena Samoila.

Por, ndërsa të miturit, shumica e të cilëve vijnë nga familje me probleme sociale, vijojnë të jenë shqetësim për krimet e rrugës, Erjoni është një 14-vjeçar që mbahet në burgun e Kavajës për vrasjen e një bashkëmoshatari: “Këtu kam filluar shkollën. Jam në klasë të parë.”

Kreu i burgjeve Artur Zoto shprehet se për të shmangur përfshirjen e të miturve në kriminalitet dhe përsëritjen e tyre, autoritetet duhet të fukosuhen në fushatat parandaluese: “Numri më i madh i të miturve janë të dënuar për vjedhje. Duhet një iniciativë ndërinstitucionale në mënyrë që të hartohen programe konkrete.”

Top Channel