Po vazhdon në qytete të ndryshme italiane prezantimi i librit “Oltre Confine”, Pertej Kufirit, i autorit shqiptar Euglent Plaku, i botuar nga “Bianca e Volta Edizioni”.
Vepra rrëfen një histori të vërtetë, atë të autorit që gati fëmijë, vetëm 14 vjeç, niset nga Shqipëria e mesit të viteve ’90 duke ndjekur një ëndërr dhe përfundon në skllavëri, përplaset me realitetin e egër në qelitë e policisë kufitare greke, në rrugët e Milanos e Romës ku e detyronin të lypte.
Ai përshkruan me një stil linear dhe të drejtpërdrejtë përpjekjen e përditshme për të mbijetuar e mos u përulur, megjithëse shpesh ishte nën kërcënimin e armëve.
Libri është konsideruar nga kritika si një akt akuze, një dëshmi rrënqethëse e asaj që kanë kaluar e kalojnë mijëra emigrantë për të arritur në Itali.
Edhe vetë Euglent Plaku, me origjinë nga Lushnja, na rrëfen se shpresa e tij është që libri të shërbejë per t’i dhënë zë çdo shqiptari e në përgjithsi çdo njeriu që ka përjetuar një eksperiencë të tillë.
Shpëtimi i tij ka ardhur nga një prift salezian, emri i të cilit edhe sot e kësaj dite nuk është bërë publik. Euglenti, tanimë tridhjetepesë-vjeçar, ka pritur shumë vjet përpara se kujtimet e asaj periudhe të errët të kristalizoheshin e të ndihej i gatshëm për të vështruar i qetë të kaluarën e tij.
Sot ai është specialist në disiplinën izraelite të mbrojtjes personale Krav Maga dhe shpesh është i angazhuar në aktivitete solidariteti në ndihmë të të verbërve.
Top Channel