Nikolla vlerëson provimin e gjuhës

31/05/2014 00:00

Rreth 45 mijë maturantë janë testuar të premten për provimin e gjuhës dhe letërsisë, lëndë e detyuruar e maturës shtetërore.

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla tha se procesi i administrimit të provimit rezultoi i suksesshëm, duke shënuar një standard të ri të maturës shtetërore falë  bashkëpunimit serioz të strukturave të arsimit të cilat i dhanë vëmendjen e duhur këtij procesi.

Ministrja e Arsimit falenderoi edhe Policinë e Shtetit me të cilën u bashkëpunua për mbikëqyrjen e ambienteve ku u krye testimi, si dhe Postën Shqiptare me të cilën u transportuan materialet e provimit.

“Ky provim si kurrë më parë realizoi një standard të unifikuar në gjithë vendin sepse treguam se është e mundur se detyra e institucioneve është jetësimi i proceseve që ofrojnë mundësi për të gjithë”, deklaroi Nikolla.

Një tjetë risi e maturës shtetërore të këtij viti, sipas ministres Nikolla, ishte edhe mënyra e hartimit të testit, i cili përmban 3 nivele të përgatitjes së nxënësve.

Ajo i garantoi maturantët se edhe procesi i vlerësimit të testeve do të jetë korrekt. “Ajo që keni reflektuar ju do të jetë në vëmendjen e profesionistëve dhe merita do jetë pjesë e vlerësimit të tyre”, nënvizoi Nikolla.

Sipas ministres Nikolla, vlerësimet e provimit të gjuhës e letërsisë do të kryhet ditën e hënë më 2 qershor në 5 qendrat e vlerësimit të ngritura në Tiranë, Elbasan, Shkodër, Korçë dhe Fier.

Ndërsa shpallja e rezultateve do të publikohet në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Agjencisë Kombëtare të Provimeve, dy javë pas përfundimit të provimit të gjuhës dhe matematikës.

Top Channel