Tërmeti i bën mirë BE-së

30/05/2014 00:00

Merlinda Andoni – Në median e shkruar dhe audiovizive lajmi i ditës, ndër të tjera, është edhe diskutimi mbi tërmetin e zgjedhjeve parlamentare europiane 2014. E lakuar në këtë metaforë, zhvillimi i procesit zgjedhor tregon që lëkundjet kanë krijuar panik në ndërtesën e përbashkët europiane në lidhje me vazhdimësinë e institucionit, si edhe integrimin si proces në vetvete. Me gjithë të vërtetën që mbart ky diskurs, nuk ka vend për panik. Jo vetëm që në terma afatshkurtër nuk do të ketë dëme, por mbi të gjitha sado paradoksale të duket, tërmeti i bën mirë BE-së.

Shkaku i lëkundjeve lidhet drejtpërdrejt me valën gjithmonë e më tepër në rritje të euroskepticizmit, i cili gjerësisht përdoret si kryefjala që përfaqëson sjelljen negative kundrejt Bashkimit Europian dhe/ose integrimit europian.

Studiues të euroskepticizmit si fenomen e kategorizojnë atë në rrymë që kundërshton sjelljen negative të autoriteteve zyrtare dhe institucionale të BE-së, të tipit Angela Merkel, Francois Hollande etj.; kundër regjimit, në aspekte të vlerave politike, normat dhe strukturat e BE-së; kundër vlerave negative komunitare që promovon, ku një ndër çështjet më të diskutuara është imigrimi.

E përkthyer në zhargonin e përditshëm, euroskepticizmi lidhet kryesisht me kundërshtime të politikave të vendimmarrjes, në të cilat kërkohet më shumë autoritet i vendeve anëtare në vendimmarrje, forcimin e kufijve, shpërbërjen e eurozonës (sidomos pas fenomenit të krizës financiare që ka prekur një pjesë të mirë të vendeve anëtare të BE-së), rritja e papunësisë etj.

Në këto zgjedhje, qartësisht euroskeptikët dhe Unionet e Partive Antieuropiane kanë arritur fitoren e tyre më të madhe historike. Parashikimet tregojnë që nacionalistët dhe partitë antieuropiane (që dominojnë grupimet: Grupi i Deputetëve të Pavarur – NI dhe Grupi Europian për Liri dhe Demokraci- EFD), marrin 140 nga 751 vende në parlamentin e ri europian.

Për më tepër, ajo çfarë sjell më tepër debate mbi ndikimin e këtyre rezultateve, është fakti që jo vetëm në vende themeluese dhe të fuqishme politikisht dhe financiarisht si për shembull, Franca dhe Britania, por në të gjithë zonën, partitë ekstreme të majta e të djathta euroskeptike kanë dominuar.

Cilat mund të jenë pasojat e tërmetit? Asnjë dëm në themelet dhe strukturën europiane të paktën për një pesëvjeçar. Përkundrazi, zgjedhjet kanë treguar vlera të një demokracie funksionale europiane. Së pari, përllogaritja e thjeshtë numerike në parlament tregon që krahu i djathtë dhe i majtë do të kenë më shumë se gjysma e vendeve në parlament (çfarë do të thotë mjaftueshëm për të kaluar një pjesë të mirë të ligjeve). Institucionalisht, si rrjedhojë ndryshimet do të jenë të pamundura.

Së dyti, ashtu siç edhe Duncan McDonell, studiues i shkencave politike, pranë Universitetit Europian të Firences tregon, një grup politik euroskeptik paneuropian ka shumë pak gjasa të krijohet, duke qenë se këto grupe kanë interesa krejtësisht të ndryshme.

E majta euroskeptike radikale denoncon konceptin e tregut të lirë që promovon korporatat e mëdha financiare, ndërkohë që e djathta ekstreme kundërshton zbehjen e konceptit të sovranitetit, si edhe rritjen e nivelit të burokracisë në Bashkimin Europian. Jo vetëm kaq, por këto rryma euroskeptike nacionaliste sporadike u përshtaten në profile të ndryshme edhe problematikave të kontekstit vendas politik, ekonomik dhe institucional që përfaqësojnë.

Për shembull, në rastin e Greqisë euroskepticizmi rritet ndjeshëm pas krizës financiare që kaptoi vendin. Referuar sondazhit të eurobarometrit europian 2012, pas krizës financiare që preku vendin imazhi negativ i Unionit u rrit tri herë më shumë, nga 14% në 2009, në 49% në vitin 2012. Shkurtimisht, përfaqësimi i unifikuar i euroskeptikëve mungon. Status i cili reflektohet konkretisht në mungesë votash të bashkuara në parlament, ideologjie të përbashkët, si edhe politika të tjetërsuara.

Së treti, aspekti pozitiv lidhet me faktin që tashmë opinion publik zyrtarisht me anë të votës së lirë do të dëgjohet ndryshe në parlament, duke i kërkuar BE-së të reagojë. Prezenca e euroskeptikëve në parlament, mbart potencialin e rritjes së legjitimitetit të procesit europian, duke u dhënë zë qytetarëve europianë të kundërshtojnë komoditetin e vendimmarrjes klasike midis grupeve të djathta dhe të majta në parlament. Përfaqësues të euroskepticizmit mund të zgjedhin rolin e oratorit publik ose pragmatistit.

I pari përfaqëson zërin kritik ndaj institucionit mbi vendimet e brendshme të parlamentit që mund të kenë pasoja negative. Komunikimi ndodh si brenda fjalimeve dhe debateve në Parlament, por ngushtësisht edhe me aktorë të tjerë, si media, votues, gazetare. Pragmatikët, nga ana tjetër, kanë për qëllim të turbullojnë ujërat dhe të arrijnë rezultate konkrete.

Reagimi i parë vjen nga Kancelarja gjermane Angela Merkel, duke thënë se rezultatet e zgjedhjeve “janë më tepër mesazh mbi arritjen e politikave që do të bëjnë diferencën në jetën e qytetarit europian”, dhe jo në ndryshime të strukturave, institucioneve, regjimit apo edhe autoritetit. Tërmeti “euroskeptik” numerikisht, ligjërisht dhe ideologjikisht të paktën për një pesëvjeçar të ardhshëm, nuk ka potencialin që të dëmtojë themelet e shtëpisë europiane.

Në afatgjatë sesa BE-ja do të reagojë ndaj lëkundjeve dhe se si do t’i menaxhojë ato, kjo mbetet për t’u parë. Ajo çfarë vlen për t’u përmendur dhe sjell risinë e radhës, është zyrtarizimi i shumëpërfolur dhe i diskutuar i pakënaqësisë së qytetarit europian ndaj politikave aktuale të BE-së. Në demokraci kështu duhet të ndodhë, qytetarët duhet të jenë të lirë të shprehin mendimin e tyre nëpërmjet të drejtës legjitime që gëzojnë, votës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA