17 ish-të përndjekur politikë, të cilët prej tre ditësh ndodhen në grevë urie, deklarojnë se kërkesat e tyre nuk lidhen vetëm me dëmshpërblimin, por edhe me disa kërkesa politike.
Kryetari i grevës, Fatmir Hoxha thotë se vetë nuk ka marrë asnjë dëmshpërblim dhe se kërkesat kryesore lidhen me hapjen e dosjeve, dënimin e figurës së Enver Hoxhës dhe dëmshpërbilimin brenda dy viteve të të gjithë ish-të përndjekurve politikë.
“Unë kërkoj të hapen dosjet nga kjo qeveri që është. Të hapen dosjet, të kontrollohen. Dëmshpërblimi ka marrje qesharake. Mua më ka vdekur babai në internim”, deklaroi Hoxha.
“Të rikthehen në punë fëmijët e ish-të përndjekurve që janë shkaktuar padrejtësisht nga postet në administratë. Dëmshpërblimet janë marrë, disa nga një këst, disa nga dy dhe disa që s’kanë marrë gjë fare”, u shpreh një tjetër.
Ministri i Mirëqënies Sociale, Erion Veliaj, ndërsa ka shpërndare këstin e parë për 80 ish-të përndjekur politikë, tha se kryetari i grevës Fatmir Hoxha ka marrë tërë dëmshpërblimin me të tre këstet.
“Fatmir Hoxha, që drejton këtë grevë, përveçse pranon që s’ka bërë asnjë ditë burg, ka marrë dy këste nga banka Raiffeisen, kam edhe dokumentin e bankës, dhe i ka marrë menjëherë jo me 8 këste si të gjithë. Pse? Sepse ishte pjesë e pushtetit. Hoxha jo vetëm që ka marrë pronat me emrin e të përndjekurve, jo vetëm që është denoncuar në gjykatë dhe është shkarkuar, por ka proçedim penal për vjedhje të pronave të gjakut të të përndjekurve. Si mund të jetë ky njeri në grevë urie”, tha Veliaj.
Projektligji i ri i jep përparësi në dëmshpërblim ish-të burgosurve politikë që janë gjallë dhe trashëgimtarëve të radhës së parë, që janë në moshë të mitur në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Sipas këtij ligji, çdo fond vjetor ndahet në 70% për dëmshpërblimin e personave që janë në kategorinë prioritare dhe 30% për të dëmshpërblyer trashëgimtarët e ish-të dënuarve politikë.
Top Channel