Kushte atmosferike të paqëndrueshme dhe reshje shiu, parashikimi i motit për këtë të mërkurë Policia u konfrontua paraditen e së mërkurës me një grup të përndjekurish politikë, si dhe deputetë të Partisë Demokratike, që kishin ardhur të mbështesnin grevën e urisë. Pas këtij konflikti kanë reaguar deputetët e PD.
“Lejet për tubim, qoftë ky i tipit të grevës së urisë, protestës apo marshimit, apo i çfarëdolloji të jetë, i jep pushteti lokal. Policia në këto raste njoftohet, në mënyrë që të garantojë sigurinë, dhe jo t’i dhunojë qytetarët që duan të protestojnë”, tha Gerti Bogdani, deputet i PD.
Pasi është zgjidhur situata, shoqata antikomuniste e ish-të përndjekurve politikë demokratë nisi një grevë urie. Në kërkesat e tyre, këta ish-të përndjekur politikë kërkojnë marrjen e dëmshpërblimit brenda dy vitesh.
Përfaqësuesi i tyre tha për mediat se kërkojnë status të veçantë për ish-të përndjekurit, që janë ende gjallë.
“Duke parë menefregizmin, papërgjegjshmërinë e kryeministrit Edi Rama, duke ardhur me premtimin se do të dëmshpërblente të burgosurit dhe të pëndjekurit politikë, gjë e cila mbeti në letër. Ne sot dalim me 5 pika: Së pari, dëmshpërblim total për të gjithë ata që kanë status politik dhe iu takon dëmshpërblimi brenda 2 viteve dhe që janë gjallë. Së dyti, rikthimi i menjëhershëm në Administratën Shtetërore të të gjithë fëmijëve të të burgosurve politikë, që janë pushuar padrejtësisht”, u shpreh Fatmir Hoxha, ish i përndjekur.
Një tjetër kërkesë e ish-të përndjekurve është edhe dënimi i figurës së Enver Hoxhës dhe nxjerrja jashtë ligjit e partive komuniste. Pas leximit të kërkesave dhe nisjes së ngritjes së çadrave, 10 prej tyre nisën grevën e urisë. Edhe ish-të përndjekurit e akuzuan policinë për ushtrim dhune.
Tufa: Greva, e manipuluar nga PD
Ish-grevistët: Nuk është vazhdimi i protestës sonë, janë të manipuluar
Por një ndër organizatorët e grevës së urisë, një vit më parë, Skënder Tufa, shprehet se kjo grevë nuk është vazhdim i saj.
Ai thotë se edhe shoqata që ai drejton, dhe që organizoi atë grevë Shkurtin e vitit të shkuar, ku humbi jetën edhe një grevist, është e pakënaqur me qeverinë. Por, nuk e mbështet këtë grevë që, sipas tij, është e iniciuar nga Partia Demokratike.
“Nuk ka nisur asnjë grevë e shoqatës së ish-të pëndjekurve politikë. Iniciuesi i kësaj greve, një polic i AGBV-së në kohën e Enverit, i cili ka bërë diversion prej 20 vjetësh në radhët e të përndjekurve politikë, është një ushtar i Sali Berishës. Ne pamë aty deputetë, të cilët kur digjeshin të burgosurit politikë në grevën e parë të urisë, ata dilnin nëpër media dhe shanin njerëzit që ngrinin zërin për të kërkuar të drejtat e tyre, që vet ata ua kishin shkelur për 20 vjet, duke i mashtruar e duke u kërkuar votat. Këta njerëz nuk kanë asgjë të përbashkët me të burgosurit politikë. Shprehim keqardhjen, që Fatmir Hoxha ka marrë një grup njerëzish të varfër dhe, duke i paguar me 10 mijë leksha, i prezanton si të përndjekur politikë, të cilët shkojnë atje për bukën e gojës, por që e dinë se kjo është një lojë e Partisë Demokratike. Kupola e PD kërkon ta shfrytëzojë në këto momente politike, për triumfet që nuk i arriti me votë demokratike, por që i kërkojnë nëpërmjet destabilizimit”, tha Skënder Tufa, ish-i përndjekur politik.
Top Channel