Tjetër arrestim për drogën e Divjakës

27/05/2014 00:00

Ka shkuar në tre numri i të arrestuarve për çështjen e avionit të Divjakës. Pas arrestimit në kushtet e flagrancës të Xhorxho Riformatos dhe Saimir Bajramit , i arrestuari i tretë është Aurel Pupe 24 vjec nga Lushnja, për të cilin Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën e arrestit me burg për akuzën e trafikut të drogës të mbetur në tentativë.

Prokuroria e Përgjithshme konfirmon në rrugë jo zyrtare se për të dyshuarin  Aurel Pupe banues në lagjen “20 Tetori“  në qytetin e Lushnjes, ka prova që e inkriminojnë drejtpërdrejt së paku gjatë procesit të paketimit të ngarkesës së drogës. Madje shoqërimi e më pas ndalimi i tij është bërë në bazë të një përgjigjeje të kthyer nga Laboratori i Kriminalistikës, ku sipas akt-ekspertimit të policisë shkencore, në pakot e mbështjella me natriban, 3 nga 11 gjurmët papilare të evidentuara në vendngjarje, i përkasin 24-vjecarit nga Lushnja.

Por ndërsa arrestimi i të riut nga Lushnja gjatë këtyre pesë ditëve është mbajtur sekret si nga policia ashtu edhe nga prokuroria,  e njëjta gjë ka ndodhur edhe gjatë masës së sigurisë të shpallur nga gjykata. Pupe mësohet të ketë deklaruar se ka marrë pjesë në paketimin e drogës, tha një burim i Top Channel, por nuk ka hedhur dritë mbi njohjet e tij me dy të akuzuarit e tjerë.

Ajo që dihet jozyrtarisht është se tashmë në kërkim për shkak të gjurmëve papilare janë edhe disa shtetas të tjerë nga qyteti i Lushnjes, identiteti i të cilëve nuk mund të bëhet i ditur derisa Policia e Shtetit të finalizojë arrestimin e tyre tashmë që rezultojnë që nga data 20 maj si të kërkuar.

Këto arrestime hedhin dyshime mbi deklarimet e të arrestuarit Saimir Bajrami, i cili kishte pohuar se drogën e kishte blerë në Krujë. Ndërkohe piloti italian Xhorxho Rifomato e ka lënë avokatin kryesisht që i siguroi shteti shqiptar, duke gjetur një mbrojtës të zgjedhur vetë. Avokati Ramazan Topuzi iu drejtua Apelit me kërkesën për lirimin e tij, sepse sic u shpreh fakti nuk provohet se ekziston dhe se piloti italian nuk e njeh Saimir Bajramin.

“Për ne nuk qendron fakti penal. Nuk ka fakti penal. Ai është një aksident ajror dhe ne do të hedhim poshtë akuzën e prokurorëve si të pabazuar në prova. Nuk është klandestin, ka ndodhur, ka parë Rivierën dhe është rrëzuar në Divjakë“, thotë Ramazan Topuzi, avokat i Xhorxho Riformatos.

I kontaktuar në telefon nga Top Channel edhe avokati i Bajramit pohoi se ka ankimuar masën e sigurisë në Gjykatën e Apelit të mbështetur në shpjegimin se arrestimi i  klientit të tij nuk është kryer në kushtet e flagrancës, por edhe sepse në dëshmi ka kontradikta.

Top Channel