Ligj për denoncimin e korrupsionit

27/05/2014 00:00

Mbretëria e Holandës nëpërmjet ambasadës në Tiranë ka ndërrmarrë nismën mbështetëse dhe financiare për hartimin e një projekt-ligji i cili do të marrë në mbrojtje të gjitha ata punonjës të administratës të cilët do të thyejne heshtjen duke denoncuar aferat korruptive në institucionet ku punojnë.

Fillimin e hartimit të projekt-ligjit  e përshëndetën gjatë një ceremonie në Ambasadën e Holandës. Koordinatori Kombëtar i Luftës ndaj Korrupsionit Bledi Çuçi, zëvëndësministri Drejtësisë Idlir Peci dhe kreu i komanduar i BE-s në vëndin tonë Clive Rumbold, Martin De La Bej ambasadori Mbretërisë së Holandës në një intervistë për Top Channel shpjegon rëndësinë e këtij ligji për Shqipërinë  në luftën kundër korrupsionit.

“Është një element i rëndësishëm në të gjithë spektrin e luftës ndaj korrupsionit. Në këtë këndvështrim është dicka e vogël, por nje element  me tepër rëndësi në këtë luftë. Është dicka e re, e tillë ishte edhe për Holandën në pasjen e një ligji që merr në mbrojtje informatorët pasi ishte urgjente në vëndin tim pasja e një ligji të tillë. Ky ligj ka dy aspekte, njohjen e problematikave korruptive dhe mbrojtjen e atyre që kanë guximin të flasin për të tilla cështje dhe mos të ndjehen të kërcënuar për këtë veprim të tyre”, thotë Ambasadori De La Bej.

Ministria e Drejtësisë dhe Koordinatori Kombëtar i Anti-korruposionit janë përgjegjës në hartimin e projektligjit. Zoti Çuçi vlerëson mbështetjen e Holandës për këtë projekt-ligj të cilin e quan tejet të nevojshëm.

“Hartimi i legjislacionit për mbrojtjen e informatorëve të rasteve të korrupsionit, nuk është vetëm një detyrim që ne kemi nga prioriteti tre në bashkëpunim me Brukselin, por është edhe nëj angazhim i drejtpërdrejtë dhe tregues i vullnetit të qeverisë për të krijuar një administratë me integritet dhe për të luftuar korrupsionin brenda dhe jashtë administratës”, thotë Bledi Çuçi.

Projektligji do të hartohet me ndihmën e ekspertëve të Departamentit të Kriminalistikës në Institutin “Vilom Pompe” pranë Universitetit të Utrehtit.

Top Channel