Greva e urisë e organizuar nga shoqata e të larguarve nga puna ka hyrë në ditën e saj të shtatë, por ministri Erion Veliaj ka bërë publike në Komisionin e Integrimit se zonja Nertila Qafzezi ka patur një dosje problematike.

Gjatë kohës së punësimit në Ministrinë e Cështjeve Sociale, prej vitit 2009 e deri në momentin e largimit ka marrë 4 paralajmërime të ndryshme. Tre prej të cilave në kohën kur kjo ministri drejtohej prej ministrave të PD-së, sot në opozitë dhe mbështetës të kësaj greve.

Siç tregohet nga dokumenti i datës 14-10-2009, që mban firmën e drejtorit të përgjithshëm Thoma Miço, kërkohet masë disiplinore për zonjën Qafzezi për mosrealizim të detyrave të ngarkuara. Në vërejtjen tjetër, e datës 12-03-2013, prej drejtorit Arjan Kokona është e motivuar pasi zonja Qafzezi ka kryer “sjellje të parregullt gjatë kohës së punës me eprorët, kolegët, me vartësit dhe me publikun”.

Po për të njëjtat motive, ndaj zonjës Qafzezi është hartuar një tjetër vërejtje më datë 7-10-2013. Ndërsa më 14-11-2013, drejtori i drejtorisë, Fatjon Dhuli, ka përpiluar masën disiplinore “vërejtje me paralajmërim për largim nga puna”.

Paraditen e të martës grevës iu bashkuan edhe disa ish-efektivë të Policisë së Shtetit. Por, cilat janë motivet e largimit të tyre nga puna? Sipas dokumentacionit të siguruar prej Top Channel në mënyrë zyrtare nga Ministria e Brendëshme rezulton se

n/komisar Bledar Kruja është liruar nga detyra për “shkurtim funksioni organik”. Në dosjen personale të zotit Kruja administrohen 3 vërejtje: më datë 12.11.2007 i është dhënë një masë disiplinore nga zv/drejtori i Policisë së Qarkut, “vërejtje me paralajmërim”, me motivacionin “sjellje jo korrekte”. Një vit më vonë, 21.03.2008 i është dhënë një masë nga drejtori i Policisë së Qarkut, “vërejtje me paralajmërim” me motivacion “qëndrim jo korrekt e fyes ndaj kolegëve” dhe më datë 14.08.2012 i është dhënë një mase disiplinore nga shefi i sektorit “vërejtje me paralajmërim”.

Pjesë e grevës u bë edhe Hivzi Bushati, ish-drejtor i forcave speciale të Shkodrës, efektivët e të cilit në 21 janar, nën drejtimin e zotit Bushati, ushtruan dhunë ndaj protestuesve. Hivzi Bushati, i diplomuar për mësuesi në 5 shkurt 1998, është liruar nga Policia e Shtetit me motivacionin e mosparaqitjes në detyrë. Ndërsa në 6 nëntor 2013 i janë ndërprerë marrëdhëniet e punës me motivacionin e “shkurtimit të funksionit organik” dhe “nuk ka vende të lira”.

Grevisti tjetër, Ismail Elezi sipas Ministrisë së Brendshme është larguar dhe ripranuar të paktën dy herë në polici dhe më 24.09.2012 i është dhënë grada drejtues i parë. Më datën 20.12.1992 lirohet nga policia dhe del si oficer në rezervë pasi kalon për ndjekje penale për mitmarrje. Më datën 16.10.1994 ripranohet në polici dhe emërohet në Komisariatin e Peqinit, në sektorin e Policisë Kriminale. Më datën 31.08.1997 del në lirim nga policia me motivacionin për të meta e dobësi dhe paaftësi në kryerjen e detyrës. Më 05.05.2006 ripranohet në polici.

Nga studimi i kërkesave për t’u ripranuar në strukturat e Policisë së Shtetit, Elezi bie në kundërshtim me disa të dhëna dhe fakte. Në dosjen e tij ka një masë disiplinore vërejtje për shkelje të disiplinës ushtarake, dhënë nga shefi i Komisariatit të Policisë Peqin më datën 18.06.1996.

Top Channel