Grevistët, të cilët u dërguan në spital dje në gjendje të rënduar, u rikthyen të martën në tendat e tyre, duke e çuar kështu numrin në 13.

Të vendosur në kërkesat e tyre, ata i kanë bërë thirrje kryeministrit Edi Rama për dialog, duke theksuar se rasti i vetëvrasjes së Mark Brahimit në Lezhë është një tjetër pasojë e kësaj qeverie që nuk dëgjon zërin e qytetarëve të vetë.

“Ne grevistët e ngujuar prej 7 ditësh informohemi se krimet e kësaj qeverie nuk rreshtin. Ky është krimi i katërt, i një personi që lë familjen në kushte të vështira jetese. Ngushëllojmë familjen e Brahimaj. U themi të larguarve nga puna se veprimi më i mirë është bashkimi me kauzën tonë, për të arritur kthimin në vendet e punës”, deklaroi Nertila Qafëzezi, kryetare e shoqatës së të larguarve nga puna.

Grevistët kanë hyrë në ditën e tyre të shtatë të grevës paraditen e së martës, duke treguar rezistencë dhe sfiduar kështu urinë dhe temperaturat e larta. Ndërkohë, nga çadrat është larguar një prej tyre. Ai është shtetasi Edmond Idrizi, ish-efektiv i policisë së burgjeve. Rezulton se Idrizi ka pasur luhatje tensioni dhe dhimbje stomaku.

Edhe 4 policë të liruar nga detyra futen në grevën e urisë

Grevës së urisë i janë bashkuar edhe katër persona të tjerë, me numrin që në total shkon 17. Bëhet fjalë për katër ish-oficerë të Policisë së Shtetit dhe që i përkasin Shoqatës së oficerëve të liruar nga detyra.

Para se të hynin në çadra, 4 oficerët e liruar, të mbështetur edhe nga grevistët që kanë një javë që ndodhen para Piramidës, kanë lexuar një deklaratë për shtyp, ku akuzonin qeverinë “Rama” se janë hequr nga puna, që nga shtatori e deri në mars 650 oficerë policie.

Ata janë: Qamil Shkaba, ish-komisar kufiri në Korçë. Shefki Lusha dhe
Bledar Kruja, oficerë të rolit bazë, si dhe Ismail Elezi, ish-drejtor i
Krimit financiar në polici. Ata kanë thënë se kërkojnë rikthimin në punë, pasi gjykata administrative u ka dhënë të drejtë.

Top Channel