Pedagogët e Akademisë së Arteve, gjatë një bashkëbisedimi me anëtarët e Komisionit për hartimin e draftit për Arsimin e Lartë, kanë kërkuar të trajtohen me specifika të veçanta.

Ky institucion, i cili ka nevojë për më shumë financime dhe ka pak studentë, duhet trajtuar në mënyrë të veçantë dhe jo njësoj si të gjitha universitetet e tjera publike.

“Në këtë pikëpamje, nëse ndryshojmë këtë logjikë, dhe unë jam pro respektimit të konstatimit tuaj në materialin e raportuar, që dy elementë janë të rëndësishëm: të njihen specifikat e theksuara të Akademisë së Arteve dhe të konsiderohen fondet e financimit, që disponon edhe Instituti i Kulturës, për këtë institucion, i cili ka pikërisht këtë lloj specifike. Këto janë dy pikënisje, për mua, shumë të mira, sepse po të hyjmë në detaje, më vjen keq por të gjitha përgjigjet që ju jepni për shqetësimet dhe pyetjet tona nuk futen te ne, krijojnë konflikt”, u shpreh Xhevdet Ferri, pedagog.

Komisioni ka nënvizuar se paratë e shtetit do të shkojnë vetëm për universitetet publike dhe se privatët mund të përfitojnë vetëm nga granti për kërkimin shkencor, nëse ata e meritojnë.

“Në mënyrë absolute, financimi nga buxheti i shtetit është i hapur vetëm për institucionet publike. Por, ka tre financime: ne kemi atë që quajmë granti i mësimdhënies, granti i inovacionit dhe i zhvillimit dhe granti për kërkimin shkencor. Tani, që të njohim pak realitetin, për kërkimin shkencor edhe sot financimi është i hapur për privatët, sepse financimi bëhet në bazë të meritokracisë së projekteve. Nuk ka rëndësi se nga vjen kërkuesi, me atë projekt që dorëzon”, u shpreh Ervin Demo, zv/rektor i Universitetit të Tiranës.

Edhe çështja e transferimeve nga privati te publiku do të ndryshojë, pasi do të jetë universiteti, që do të përcaktojë se sa do të kalojnë.

“Hyjnë çdo vit 150 studentë, që transferohen nga universitete të ndryshme. Tashmë ne do të vëmë normat tona. Po të kërkojmë ne që personat të futen, duke vendosur një numër të caktuar të pikëve, ne mund ta lëmë, por kjo është politikë e jona, siç do jetë edhe politika juaj”, tha Myftar Barbullushi, anëtar i Komisionit për reformën në Arsimin e Lartë.

Deri në fund të këtij viti, pritet të përfundojë edhe akreditimi i universiteteve, e më pas edhe i programeve, një proces që pritet të penalizojë disa universitete.

Top Channel