Rritja e partive ekstremiste në PE

26/05/2014 00:00

Zgjedhjet në Parlamentin Europian treguan se votuesit, në disa prej vendeve kryesore të BE-së, mbështetën forcat ektremiste, të cilat do të kenë përfaqësi në këtë institucion të rëndësishëm, por duke paralajmëruar edhe një trend në zgjedhjet e ardhshme politike në vendet përkatëse.

Por, sa do të ndikojnë këto ndryshime te Shqipëria dhe marrja e statusit? Disa ditë para se Bashkimi Europian të shohë se si i ka përmbushur detyrat e shtëpisë vendi ynë, qeveria ka nisur një tur, ku po lobon fort që vendet europiane t’i japin dritën jeshile vendit tonë.

Studiuesit e diplomacisë europiane, Gjergji Vrumo dhe Gledis Gjipali, shprehen optimistë mbi marrjen e statusit kandidat nga Shqipëria, me gjithë tendencën në rritje të forcave që kundërshtojnë si zgjerimin, ashtu edhe vet BE-në.

“Them se shanset janë aty, pavarësisht zhvillimeve të fundit me zgjedhjet e Parlamentit Europian. Do të kishte qenë më mirë, në qoftë se ky tur do të kishte nisur pak më herët, dhe do të kishte mbajtur të njëjtin nivel përfaqësimi e një shtrirje pak më të gjerë”, u shpreh Gjergji Vrumo, drejtor i IDA.

“Që nga Gjermania, nga vizita e kryeministrit tonë me kancelaren Merkel, ishte një sinjal i parë, por nga më të rëndësishmit, pozitiv. Gjithashtu kemi vënë re edhe vende të tjera, të cilat kanë zbutur tonet kritike për sa i përket rezultateve të reformave. Janë treguar më pozitive kundrejt Shqipërisë si Holanda dhe Danimarka. Vet vizitat e zyrtarëve më të lartë të qeverisë shqiptare në këto vende, këto ditë, tregon se ka një intensifikim marrëdhëniesh”, tha Gledis Gjipali, drejtor i EMA.

Një pikë e dobët e Shqipërisë mbetet reforma në gjyqësor dhe lufta kundër korrupsionit.

“Qeveria duhet të ofrojë vërtet rezultate konkrete. Fokusi është kryesisht te lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kemi heshtje deri diku, sa i përket reformës në Administratën Publike. Kjo është mbase një plus për Shqipërinë”, theksoi më tej zoti Vrumo.

“Sigurisht që çështjet kryesore kanë të bëjnë me reformën në sistemin gjyqësor, si dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, të cilat janë çështje jo vetëm që ndikojnë në dhënien e statusit, por sidomos edhe për hapjen e negociatave në vazhdim të procesit të anëtarësimit”, deklaroi zoti Gjipali.

Ekpertët mendojnë se shumë vende të Bashkimit Europian kanë dhënë sinjale pozitive, ndaj Shqipëria mund ta marrë statusin, por përpara ka një detyrë të vështirë.

Parlamenti me 751 vende është trupi i vetëm i zgjedhur me votë popullore në Bashkimin Europian, prej 28 anëtarësh. Pavarësisht dallgës së baticës së euroskeptikëve, partitë e mëdha pro-BE do të vazhdojnë të mbeten grupi qendror në Parlament.

Top Channel