“Drejtësia, në 4 vjet nuk u bë asgjë”

26/05/2014 00:00

Hoakin Urias, eksperti spanjoll që drejtoi misionin europian të Asistencës në Sistemin e Drejtësisë “Euralius3”, në një intervistë për Zërin e Amerikës thotë se gjendja e Drejtësisë në Shqipëri është shumë e keqe.

“Situata e përgjithshme e drejtësisë mendoj se është shumë e keqe. Nuk dua të jem pesimist, por mendoj se në katër vitet e fundit situata nuk është përmirësuar. Drejtësia duhet të jetë institucioni kyç i shtetit të së drejtës, është institucioni që garanton se njerëzit po e respektojnë ligjin. Në Shqipëri situata është e tillë që Drejtësia nuk është e aftë që të garantojë qytetarët që të ndjehen të mbrojtur nga shteti i së drejtës. Për shkak të mungesës së efikasitetit, për shkak të mangësive në drejtësi, qytetarët shqiptarë nuk ndjejnë se po jetojnë në një vend të bazuar në shtetin e së drejtës”, deklaron Urias.

Sipas tij, problemi i parë mbetet korrupsioni. “Korrupsioni nuk është vetëm ai që njerëzit mendojnë, marrja e parave. Korrupsion do të thotë gjithashtu se shumë vendime gjyqësore merren për shkak të influencave politike. Korrupsion është sa herë merret një vendim i cili nuk është i bazuar në ligj, por në interesa të tjera. Korrupsioni përfshin gjithashtu dhe ndërhyrjet politike”, nënvizon Urias.

Ai thotë se buxheti i qeverisë për drejtësinë është më i ulëti në Ballkan. “E po ashtu dhe organizimi i gjykatave nuk është ai që duhet të jetë. Pra, duke i përmbledhur shkurtimisht, problemet janë korrupsioni, ndërhyrjet politike, buxheti i mangët dhe organizimi efikas”, thekson Urias.

Hoakin Urias flet edhe për ndërhyrjet politike në sistem, ku emërimet shërbejnë për shkëmbim favoresh. “Ndonjëherë, ndonjë gjyqtar promovohet jo duke paguar, por duke patur mbështetje politike. Mund t’ju jap një shembull, i cili është vëzhguar nga të gjitha organizmat ndërkombëtarë. Të gjthë gjyqtarët që kanë marrë pjesë në procese të vështira, apo çështje rreth të cilave njerëzit ishin vërtetë të zemëruar, për shembull “Gërdeci”, apo “21 Janari”, apo çështje të tjera të rëndësishme, pas përfundimit të tyre, normalisht të gjithë gjyqtarët u promovuan”, shton Urias.

Sipas tij, ndërhyrjet kryesore në drejtësi duhet të jenë reformimi i Kushtetutës. Duhet parë çështja e Gjykatës së Lartë që duhet të jetë larg nga Parlamenti. Të ndryshohet Këshilli i Lartë të Drejtësisë, i cili është institucioni i cili garanton pavarësinë e gjykatësve, por qe sipas Urias, nuk është i tillë.

Eksperti spanjoll që drejtoi misionin “Euralius 3” thotë se në KLD duhet të shmanget pjesëmarrja e Presidentit dhe Ministrit të Drejtësisë, sepse të dy janë poltikanë. “Në Kushtetutë duhet të parashikohet që anëtarët e KLD-së që nuk respektojnë ligjin të shkarkohen”, thotë ai.

Urias nënvizon edhe pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm, që sipas tij nëse do të bëhet nga Parlamenti duhet të jetë me mbështetjen e të gjitha forcave politike, jo vetëm të shumicës.

Top Channel