Kushte atmosferike të paqëndrueshme dhe reshje shiu, parashikimi i motit për këtë të mërkurë Greva e urisë e të larguarve nga puna ka hyrë në ditën e saj të pestë. Në çadrat e vendosura në lulishten para Piramidës gjenden 13 grevistë, gjendja shëndetësore e të cilëve sipas mjekëve është e rënduar.
Mehmet Cenmurati, ish punonjës i gardës, humbi ndjenjat dhe më pas u shoqërua në spital. Grevistë të tjerë që morën ndihmë mjekësore për t’u rikthyer sërish në grevë janë Astrit Lika, ish-punonjës i mirëmbajtjes në Institutin e Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor dhe Mahir Reci, ish-punonjës i ndërmarrjes së studentëve.
Ndërkaq 2 grevistë të tjerë janë larguar përfundimisht për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Ata janë Gladiola Bardhoshi, ish-punonjëse e shërbimit social në ndërmarrjen e konvikteve dhe Ludovik Berisha, ish punonjës i zjarrfikëses në Berat.
Rreth orës 2 pas mesnate, grevistët i ka vizituar kryetari i Partisë Demokratike, Lulëzim Basha. Ndërsa gjatë ditës së sotme pranë tyre ka qenë deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, i cili e cilësoi grevën njerëzore dhe aspak politike.
“Nga godina përball, që është godina e heshtjes dhe e mashtrimit, nuk ka asnjë lloj reagimi dhe kjo është absurde. Kjo është një grevë e qytetarëve kundër arbitraritetit të politikës, si e tillë duhet mbështetur, jo thjesht nga opozita, por nga opinioni qytetar”, tha Luçiano Boçi.
Pranë çadrave vazhdojnë të qëndrojnë mbështetës të grevistëve dhe familjarë të cilët i kanë takuar gjatë ditës.
Ndërkaq pas disa deklaratave të drejtuesve të grevës, lidhur me neglizhencën e mjekëve, ka reaguar dhe QSUT.
“Në QSUT është i është lënë një dhomë 24 orë grevistëve. Ne presim që edhe grevistët të mirëkuptojnë punën tonë, të mos e përbaltin atë sepse ne ofrojmë shërbim shëndetësor pa dallime”, u shpreh Sonida Kuka, mjeke kardiologe.
Sipas mjekëve, gjatë dy ditëve të fundit janë paraqitur 6 raste, të cilëve u është dhënë ndihma e menjëhershme pasi kanë shfaqur probleme, kryesisht ulje tensioni e dhimbje koke.
Top Channel