Kushte atmosferike të paqëndrueshme dhe reshje shiu, parashikimi i motit për këtë të mërkurë
Rreth 1300 forca ushtarake kanë zbritur në bregdetin e Jugut, nga plazhi i Zvërnecit, deri në gjirin e Ksamilit, në Sarandë.
Me sloganin “Shqipëria është e të gjithëve, ta mbajmë pastër atë”, pastrimi nga forcat ushtarake ka nisur fillimisht në plazhin e Zvërnecit, përgjatë bregdetit ranor, në plazhin e Vjetër, ku më pas shumë forca janë përqendruar në Radhimë, Orikum, Palasë, Himarë, Qeparo, Borsh dhe në gjirin e Kakomesë, deri në Ksamil.
Në Vlorë, puna u përqendrua në plazhin e Vjetër, ku ishin 150 forca komando, të cilëve iu bashkuan edhe punonjësit e pastrimit të qytetit të Vlorës, së bashku me mjetet e tyre.
Ky plazh është menduar si zona më e ndotur, me një gjatësi prej 3,5 km brez rëre, por më problematikja qendron te zona e Pyllit të Sodës, që është e mbushur me inerte urbane.
Florian Sadushi, specialist për monitorimin e bregdetit, tha se shpresojnë që t’ia arrijnë qëllimit për pastrimin e të gjithë këtij territori.
Ky aksion ka nisur që para një jave, nga Semani deri në Velipojë, kurse sot nga Zvërneci deri në Ksamil. “Ne i bëjmë thirrje qytetarëve për bashkëpunim, pasi ushtria po bën një punë të madhe, por duhet dhe bashkëpunimi me qytetarët”, tha Sadushi.
Për zonën e Vlorës, pika më e errët ekologjike ngelet Pylli i Sodës, i cili do të pastrohet nga ushtria dhe mjetet e rënda të saj. Ky aksion do të vijojë pasi më 1 Qershor, Agjencia Kombëtare e Bregdetit do të ndërtojë kampingjet në plazhe, për të qenë gjatë gjithë verës në shërbim të pastrimit të tyre.
Top Channel