Ndihma për të prekurit e tërmetit

24/05/2014 00:00

Banorët e Cerrikut janë më të prekurit deri më tani nga lëkundjet e shumta të ditëve të fundit. Dëmet kanë qenë të shumta në banesat e tyre, aq sa janë detyruar të strehohen në konvikt.

Për ta, qendra kombëtare e emergjencave civile ka dërguar edhe ndihmat e para, që konsistonin në ujë, veshmbathje dhe ushqime.

“Një pjesë e ekipit tonë ka ardhur sot këtu në Cerrik, për t’u njohur me dëmet dhe për të sjellë disa ndihma, veshmbathje, ujë dhe ushqime, për t’u ardhur në ndihmë këtyre familjarëve. Falë bashkëpunimit me homologët tanë nga Italia, pasi i kemi lajmëruar, presim edhe ndihma të tjera si batanije, krevatë dhe sende të tjera për emergjencën që ka lindur këtu në Cerrik”.

Për nënkryetarin e Bashkisë së Cerrikut, institucionet duhet të përgjigjen me shpejtësi, pasi situata është serioze.

“Kjo ishte një ndihmë emergjente, por presim ndihma të tjera nga instanca të tjera, sepse nuk dihen se sa mund të zgjasin procedurat për sistemimin e këtyre banorëve në shtëpitë e tyre”, tha nënkryetari i Bashkisë.

Ndërkohë, pritet që në fillim të javës të mbërrijnë ndihma të tjera për familjet e Cerrikut, të cilat e kalojnë natën jashtë nga frika e lëkundjeve.

Top Channel