Humanizëm dhe luftë në dy kohë

24/05/2014 00:00

Nga Ndue Dedaj – Ishte një ftesë e munguar ajo për Dedë Qafën, në përkujtimin e 15-vjetorit të eksodit të kosovarëve në Kukës, njeriun që në vitin 1999, në hotelin e tij në Fushë-Arës, strehoi për tre muaj 40 familje kosovare, ku u trajtuan me ushqim rreth 700 burra, gra e fëmijë. Ata ishin nga Gjakova, Peja, Prizreni, Dragoshi, Malisheva, Banja etj., dhe mbanin mbiemrat: Gashi, Zeka, Beqiraj, Shala, Gjonaj, Vila, Mula, Syla, Babi, Kosumi, Telaku, Gjokaj, Kabashi, Ndreca, Kastrati, Sudi, Salihi, Miraka, Pepa, Kacoli, Emini etj. Deda ruan një fletore si kujtim me emrat dhe adresat e tyre. Shkojnë e vijnë te njëri-tjetri sot e gjithë ditën. Vëllezër të një gjaku, të vëllazëruar (përtej romantizmit si bashkëkombës) gjatë një zhbimje historike të shqiptarëve, që u ndalua nga Lufta e UÇK-së dhe e NATO-s.

Po kush është njeriu që strehoi kaq shumë kosovarë atë vit të rëndë? Dedë Qafa, 65-vjeçar, u mbrujt në një areal kontradiktash politike, jetësore, në Fushë-Arës e Pukë, gjatë Luftës së Ftohtë – si luftë klasash, duke pasur dhjetë të burgosur politikë në familje dhe mallkimin e biografisë për vete e për gjithë njerëzit e gjakut të tij, dhe se ishte nip i një dëshmori të Luftës. Kulmi i goditjes së diktaturës së proletariatit u arrit me të kushëririn, djaloshin martir Pal Preng Qafa, “ylli i mëngjesit” që u shua nga regjimi, për të cilin ende sot loton bjeshka e Livadh-Hamzit. E megjithatë Deda u kultivua me dashurinë për njerëzit dhe si profesionist i zoti në sektorin elektrik ku punoi për vite e vite, pastaj si misionar i demokracisë në ‘90-n, drejtues i NFP-së dhe i Rrugëve Rurale, pajtimtar fisnik, biznesmen i suksesshëm. Rrallë mund të takosh njerëz si ai, me një urtësi që të lë pa fjalë. I ditur, i matur në fjalë, që di vetëm t’u falë njerëzve miqësi e bujari. Gjeni i lashtë i maleve ka ardhur i pashprishur//// në njerëz si Deda dhe në kohë moderne. Ai me plot gojën i bën nder kohës në të cilën rron. I dekoruar me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shpallur së fundi “Qytetar Nderi” dhe nga Komuna Blerim e Pukës.

Qafajt nëpër histori kanë qenë tregtarët më të mëdhenj të Pukës e Mirditës, që bënin tregti me Shkodrën, Lezhën, Elbasanin, Korçën, Kukësin, Hasin, Prizrenin, Gjakovën, Pejën e deri Nishin. Po ashtu ishin të përmendur si luftëtarë dhe prijës popullorë në luftimet për pavarësi në Qafën e Malit etj. Kishin dhe flamurin e tyre unikal, një degë e gjelbër lisi në një fushë të bardhë, që printe karvanët tregtarë të kosovarëve, që ndaleshin rregullisht në tri hanet e Qafajve etj. Pra, në pritjen e kosovarëve në pranverën e ‘99-s nga ky zotëri, në bujtinën e re “Dardania”, ishte dhe tradita bujare e atyre bujtinave të vjetra të Qafajve, që për njerëzit e dyndur me përdhunë nga Millosheviçi u bë si hotel “me pesë yje”.

Shtëpia e Qafajve ishte patriote herët e vonë. I ati i Dedës, Nikollë Ndrecë Qafa, një burrë i dëgjuar i atij vendi, më 1944 kishte pritur Brigadën e 22 partizane dhe e kishte furnizuar me ushqim e veshmbathje. Kur ai do të shpallej “Qytetar Nderi” në Fushë-Arës, 9 vjet më parë, pati ardhur nga Tirana, në moshë të shtyrë, në shenjë nderimi vetë ish-komandanti i saj, Sali Verdha, i cili atë ditë do të ligjëronte: “Populli i Pukës ka qenë gjithmonë patriot. Kam pasur fatin ta provoj këtë patriotizëm 60 vite më parë, më 1944, kur erdha këndej në krye të Brigadës së 22 Sulmuese. Ka pasur shumë atdhetarë që e kanë ndihmuar Luftën, por mbi të gjithë ishte Nikollë Ndrecë Qafa, tek i cili kam parë kulmin e patriotizmit shqiptar. Ai nuk ishte vetëm kavalier i shtëpisë së vet, por i mbështeste të gjithë njerëzit në nevojë. Një kope të tërë u dha partizanëve, me 157 krerë dhi. Askush tjetër nuk e ka bërë këtë. Ne kemi pasur shumë mbështetës në zonat ku kemi shkuar, por Nikolla ishte i veçantë.”

E megjithatë, ky patriot në zë përfundoi vetë në burg politik, djalin e madh (Prengën) ia hoqën nga mësues, tjetrin (Dedën) që mbaroi shkollën e mesme sportive në Durrës, nuk e lejuan të ushtronte mësuesinë… Por humanizmi nuk vdes aty ku virtyti është palca e rrojtjes. Nga lufta në luftë kishte shkëlqyer dinjiteti i njerëzve të tillë, që kurrë nuk u mburrën për bujarinë e tyre. Atë e bir, ecnin në gjurmët e paraardhësve të tyre shekullorë. Ashtu si dhe Ndue Zef Qafa, një tjetër burrë i kësaj dere, me një histori të persekutimit familjar dhe të qëndresës morale. Odiseja e tij politike kishte nisur me konfiskimin e pasurisë mbas Luftës, me 9 muaj hetuesi në ‘49-n për sabotim në sharra, kishte vazhduar me burgun politik të djalit (Viktorit) më 1976, demaskimin e vetë atij bashkë me djalin tjetër (Ndrecën) në vitin 1981, ku babë e bir nxirren para popullit, demaskohen politikisht dhe u hiqet triska e Frontit. Goditjet e njëpasnjëshme klasore vazhdonin ta bënin “shembull” këtë derë të njohur qysh kur Pjetër Çup Qafa kishte qenë arratisur në vitin 1949 e gjendej në Amerikë.

Nik Prend Mema, 95-vjeçar, një vendali, e portretizon Dedën pa e ndarë nga i ati, si një vazhdim të tijin jo vetëm nga tiparet atërore, por dhe nga kontributet në jetën politike, sociale dhe ekonomike të zonës. Gjithsekush e ka lakmuar këtë, në malësi e gjithkund, t’i ngjajë babait, më e pakta të mos ia zbehë emrin e mirë që ai kishte pasur. Mark Mesuli, studiues i atyre trevave, sjell në vëmendje rrëfimet e të moshuarve, sipas të cilëve dera e Qafajve nuk ishte thjesht një shtëpi, por “shtet”, pasi ushtronte tregti me shumë qendra urbane, duke shtuar ekonominë e saj dhe ndihmuar banorët. Kurse Dedën e kam njohur në fillimet e demokracisë. Ishte një tip energjik, shumë punëtor, idealist, i shtruar në biseda, argumentues për ato që thoshte në forumet ku bënte pjesë, larg urrejtjes, që të djeshmen biografike e kishte sfiduar si pakkush tjetër i brezit të vet, me zotësinë profesionale të një “asistent inxhinieri” elektrik. Ka pasur vetëm një busull në jetën e tij, shtetin ligjor, i beson punës së ndershme dhe këtë e ngulit fort dhe te dy djemtë e tij dhe vajza. Asnjëherë s’ka pranuar të bëjë biznes nën siglën e politikës, por nën siglën e ligjit. I ka arritur gjërat dhe falë bashkëshortes, Xhinës, që e ka pasur gjithnjë krah në punët e familjes dhe në përmbushjen e detyrimeve të tij si qytetar me disa përgjegjësi publike. Një kulturë familjare për t’u admiruar, rreth e qark shtëpisë, lule, kopshte, vreshta, mjedise të sistemuara me shije, në anën estetike dhe atë prodhuese. Bujaria është një tipar i spikatur i këtij burri me vlera. Në çdo vend ku ndodhesh me të, ai e shfaq këtë cilësi si pjesë e palcës së shqiptarit të mirë. Dhe tani që ka filluar t’i mpaket shikimi dhe sytë e tij nuk shohin më si më parë, Dedë Qafa nuk rresht së punuari, së prituri e përcjelli njerëz; ata janë frymëmarrja e tij, i njeh nga gjurmët, hapat, mirënjohja që e rrethon.

Kredoja e Qafajve kishte qenë me u kthye tek origjina e tyre, në radhë të parë te tregtia, thotë Deda. Me këtë familje të njohur nuk ndodhi si me disa të tjerë, të prisnin thjesht nga politika, përkundrazi të gjithë iu futën punës, dijes, studimeve universitare, ku sot ndër ta ka pedagogë, kryetarë bashkie, gjykatës, oficerë policie, nëpunës të rangjeve të ndryshme dhe, sidomos, biznesmenë të zotë, rreth 80 biznese kanë Qafajt nëpër Shqipëri, por dhe jashtë vendit.

Nuk duhej të mungonte ftesa për Dedë Qafën në Kukës një muaj më parë. “Ka qenë data 14 qershor 2013. Më kanë çue fjalë e kam shkuar në Gjakovë. Ceremonia përkujtimore e luftës u zhvillue në pallatin e kulturës së qytetit. Ka pasur dhe disa dekorime me atë rast. Sopranoja e shquar Inva Mula u nderua me titullin e lartë ‘Nderi i Qytetit’ të Gjakovës. Ne të tjerët, gjithashtu, me tituj nderi e mirënjohje: një prift, një hoxhë, dy-tre luftëtarë të UÇK-së dhe unë”, thotë Deda me modesti. Bash për humanizmin e treguar ndaj kosovarëve në Fushë-Arësin e tij në vitin 1999.

Top Channel