
Në ditën e tretë të grevës së urisë, në çadrat e ngritura në lulishten përpara piramidës kanë hyrë tre grevistë të rinj, duke e çuar në 16 numrin e grevistëve gjithsej.
Një prej tre grevistëve të rinj është Leonard Strazimiri, i cili pretendon se është larguar në mënyrë të padrejtë nga puna, në shërbimin social shtetëror. Por, në ditën e parë të grevës së tij, është zbuluar se për Strazimirin ka një vendim të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, për rrëzim padie si të pambështetur në ligj.
“Sa i përket pretendimit të paditësit, se ka fituar statusin e nëpunësit civil, gjykata çmon se paditësit nuk i është deklaruar statusi i tij i punësimit si nëpunës civil nga njësia përgjegjëse, për rrjedhojë ai nuk gëzon statusin e nëpunësit civil”, shprehet gjykata.
Ndërkaq, Mimoza Boçari, që doli nga greva një ditë më parë, është zëvendësuar nga Mahir Reci, i larguar nga puna në ndërmarrjen e trajtim-studentit. Kurse grevisti tjetër është Tonin Kolthi, ish-kryeinspektor i Policisë në Kurbin.
Sipas mjekëve që asistojnë grevistët, gjendja e tyre shëndetësore është e rënduar për shkak të problemeve me tensionin dhe mungesës së aspirimit. Për këtë arsye është kërkuar spostimi i tyre nga tendat e vogla, në një tjetër tendë më të madhe, për të cilën koordinatorët thonë se është sekuestruar dy ditë më parë nga policia.
Berisha: Greva, ndryshe nga të tjerat
“Socialistët me pica. Të përndjekurit me kartelë u përdorën”
Pas mesdite, grevistët i vizitoi ish-kryetari i PD dhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili tha se opozita do të mbështesë çdo grevë, që ka në themel të drejtat e njeriut. Sipas Berishës, nuk mund të hiqen paralelizma mes grevës së ish-opozitës në 2010-n, pasi ajo ishte grevë politike.
“Ne kemi mbajtur qendrimin më human ndaj tyre dhe mund t’iu them juve se janë marrë të gjitha masat, jo t’u preken çadrat, por t’u sigurohet i gjithë mjedisi. Nuk janë përdorur dokumentet kur u çonin biftekë dhe pica dhe mirë bënë, sepse nuk është problem i imi ky, por kjo është e vërteta. Edhe kur zoti Meta në Parlament shpalli grevën për shkak të Edi Ramës, jo për shkakun tim, apo për grevistët e të përndjekurve politikë, që këta angazhuan njerëz me kartela psikike dhe i dogjën të gjallë. Me dhimbjen më të madhe Prokuroria po e heton atë, por ne grevën nuk e ndërpremë”, u shpreh Sali Berisha.
Gjatë ditës, grevistët u vizituan dhe nga deputetët e Partisë Demokratike, Eduard Halimi, Mesila Doda, Albana Vokshi dhe Jorida Tabaku. Koordinatorët e grevës thonë se presin të tjerë persona, që t’i bashkohen grevës për të protestuar kundër largimit nga puna në Administratën Publike.
Top Channel