Kushte atmosferike të paqëndrueshme dhe reshje shiu, parashikimi i motit për këtë të mërkurë
Ditën e hënë fillon monitorimi i territorit të vendit me avion të posaçëm, që do të vihet në dispozicion nga policia italiane.
Ky vendim është marrë në kuadër të masave për parandalimin e goditjen e kultivimit të bimëve narkotik. Gjatë një takimi të zhvilluar ndërmjet funksionarëve të Policisë së Shtetit dhe të policisë italiane, u diskutuan hapat që do të ndërmerren në bazë të protokollit të bashkëpunimit mes dy policive.
Zv/Drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Publike, Altin Qato, gjatë këtij takimi bëri dhe një ekspoze të planit të veprimit, lidhur me hapat që do të ndiqen për monitorimin dhe kontrollin e plotë të territorit.
Vec monitorimit nga ajri do të ketë dhe veprime në terren të forcave vendore të policisë të mbështetura nga forcat speciale, me qëllim asgjësimin e sipërfaqeve të konstatuara.
Kjo është hera e dytë që policia italiane vë në dispozicion mjetet e saj per kontrollin e territorit nga ajri. Gati një vit me parë, drejtuesit më të lartë të policisë italiane, pas monitorimit të territorit dolën në përfundimin se në të 12 qarqet e vendit ka mbjellje të lëndëve narkotike, ndërsa rekordi mbahej nga Lazarati, ku drejtori i Repartit të Aviacionit të Guardia Di Finanza, Stefano Bastoni deklaroi në atë kohë, se në këtë zonë 319 hektar janë të mbjellura më lëndë narkotike.
Një ditë më parë, gjatë intervistës dhënë në Top Story me gazetarin Sokol Balla, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri paralajmëroi nisjen e një operacioni të tillë. Ai tha se vazhdonin bisedimet me palën italiane për të siguruar avionët, bisedime që me marrëveshjen e arritur sot janë mbyllur me sukses.
Top Channel