Aksion për pastrimin e Durrësit

23/05/2014 00:00

Mjedisi dhe mbajtja pastër e tij janë vënë në qendër të vëmendjes në këtë fillim sezoni turistik. Me rritjen e temperaturave dhe të fluksit të turistëve, kryesisht nga Kosova, që kanë nisur të frekuentojnë Durrësin dhe plazhet e tij ka dalë në pah nevoja për pastrim jo vetëm e plazheve, por edhe e qytetit.

Nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të qytetit janë përfshirë në një aksion pastrimi që ka nisur nga qendra historiko-administrative e Durrësit, ku ndodhen dhe një pjesë e mirë e objekteve me vlera të rralla arkeologjike, pjesë e trashëgimisë dhe krenarisë së mbarë vendit.

Aksioni do të shtrihet edhe drejt lagjeve të brendshme të Durrësit dhe në periferi të tij. Në qytet mbeten disa vatra emergjente papastërtie që presin ndërhyrjen e ndërmarrjes së pastrimit, siç është ajo e krijuar në themelet e një pallati të pandërtuar pranë Muzeut Arkeologjik, apo dhe në rrugën pranë kampusit universitar.

Top Channel