“Përtëri”, kur bota ndryshon nëpërmjet shembullit

22/05/2014 00:00

Të ndryshosh botën nëpërmjet shembullit tënd dhe jo nëpërmjet fjalëve. Kjo ka bërë bashkë qindra studentë në rrethet kryesore të Shqipërisë, të cilët në mënyrë vullnetare janë bashkuar për të folur me vepra.

Ide interesante, që shpeshherë bëhen objekt bisede të të gjithëve, por që shumë pak prej nesh mendojmë se si mund të kontribuojmë konkretisht, kanë tërhequr vëmendjen e njerëzve edhe pse s’kanë pasur aspak një qëllim të tillë.

Heqja e posterave të fushatave, të cilat kanë pushtuar pothuaj gjithë muret e qyteteve, sensibilizimi për të respektuar semaforin, të cilin e neglizhojnë jo vetëm drejtuesit e automjeteve, por veçanërisht kalimtarët, shpërndarja e lajmeve të mira për moshën e tretë, e shumë iniciativa të tjera, kanë marrë udhë nga mesi i Marsit dhe kanë përfunduar vetëm pak javë më parë.

Qyteti Studenti ka qenë fokus i rëndësishëm, si nga iniciativat për të sensibilizuar të rinjtë për të mbajtur mjedisin pastër, deri te biblioteka. Anila Shehu, drejtoreshë e Rezidencës studentore Universitare Nr. 1, tregon se iniciativa të tilla janë shumë të rëndësishme për të dhënë shembull konkret.

“Vetë emri i iniciativës për të rinj ishte shumë domethënës. Ne iu përgjigjëm ftesës dhe u bashkuam në ide me këtë iniciativë. Aktiviteti atë ditë pati ngjyra shumë të larmishme, sepse u krijuan gjurmët nga disa godina, të cilat të sjellin deri këtu në bibliotekë, për të afruar sa më shumë studentët rreth bibliotekës dhe e veçanta ishte se këta të rinj i dhuruan edhe bibliotekës disa libra”, tha Anila Shehu.

Të rinj, që kanë provuar për rreth një muaj se çfarë do të thotë të ndihmosh të tjerët, të pastrosh qytetin, të respektosh pastruesit që punojnë natën, të shpërndash pozitivitet apo t’u tërheqësh vëmendjen kalimtarëve në semafor, kanë përtëritur jo vetëm ata, që janë prekur drejtpërdrejt nga vullneti i tyre, por edhe veten. Kjo lëvizje është shtrirë në disa rrethe të Shqipërisë, por vetëm në Tiranë kanë marrë pjesë rreth 400 studentë.

Top Channel