Masa shtrënguese kundër lojrave të fatit

22/05/2014 00:00

Qeveria po përgatit një ligj të ri, i cili përcakton një sërë masash shtrënguese për të kufizuar industrinë e bixhozit.

Drafti, ende në diskutim nga Ministria e Financave, së pari rëndon kushtet për licencimin e çdo aktiviteti kumari. Sipas tij, për bastet sportive, tarifa për të marrë një licencë do të 10-fishohet, nga 2 milionë lek në vit që është aktualisht në 20 milionë lek. Po kështu, ndryshe nga ligji ekzistues, licencat do të jenë të kufizuara me afat 5-vjeçar.

Rritje të fortë të tarifës së licencimit ka edhe për kazinotë elekronike, të cilat, nga 1 milionë lek në vit që paguajnë aktualisht, me ligjin e ri do të derdhin për të marrë licencë 25 milionë lek për çdo 5 vjet, ose 5 herë më shumë.

Por, rritja e fortë e tarifës së licencimit nuk është kushti i vetëm shtrëngues, përmes të cilit ligji i ri tenton të vërë nën kontroll industrinë gjerësisht të përhapur të kumarit, në Shqipëri.

Paralelisht, për bastet sportive ai kufizon numrin e NIPT-eve dytësore, deri në 300. Pra, ndryshe nga ligji aktual, ku një shoqëri bastesh mund të hapw pa kufi salla dhe pika dytësore, me ligjin e ri ato do të kufizohen deri në 300, ndërsa për kazinotë elektronike NIPT-et dytësore nuk mund të jenë më shumë se 5.

Masa e tretë shtrënguese, e parashikuar në draft, është ajo që kufizon vendndodhjen e kazinove. Sipas draftit të ri, brenda qyteteve nuk do të ketë më asnjë kazino elektronike. Ato do të zhvendosen vetëm në zonat turistike dhe, në qendrat e banuara, mund të jenë vetëm në hotelet me 5 yje, për të mbrojtur qytetarët.

Këto janë masat shtrënguese, ndërkohë që drafti ndryshon rrënjësisht edhe sistemin e taksimit të kumarit. Ndryshe nga sistemi aktual, që i takson lojrat e fatit me tarifa fikse për sallë dhe numër automatesh, me draftin e ri taksa kryesore do të vendoset mbi të ardhurat bruto, dhe është sa 25 përqind e saj.

Po kështu, për kaziontë do të ketë një 3 përqindësh shtesë, që paguhet për lojrat e fatit, ndërsa për bastet sportive, veç 25 përqindëshit, paguhet edhe një tarifw 40 mijë lekë në muaj për çdo sallë të hapur.

Top Channel