Greva e urisë së personave të larguar nga puna ka hyrë në ditën e saj të dytë, këtu në Tiranë, ndërsa është shtuar numri i tendave. Dy tendave të ndërtuara mbrëmjen e së mërkurës iu shtuan edhe dy të tjera, ndërsa iu bashkuan grevës edhe katër vetë.

Numri i grevistëve pritet të rritet pasi organizatorët e grevës bënë thirrje që të tjerë nëpunës të shkakruar t’i bashkohen asaj. Disa mjekë kanë parë nga afër grevistët dhe kanë konfirmuar se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë. Ata do të mbahen nën kontroll mjekësor vazhdimisht.

Në tenda u futën medikamente të cilat grevistët i reklamuan para kamerave. Tendën e grevistëve e vizituan disa deputetë të opozitës, ndërsa grevistët thonë se nuk janë aty për qëllime politike.

“Fakti i sotëm është që në Shqipëri, për hir të pronës janë vrarë 8.200 njerëz. Kur u vranë 1 mijë njerëz në Siri nga armët kimike u ngrit gjithë bota, për këta 8.200 në Shqipëri nuk u ngrit njeri. Kushtetuta parashikon kthimin e pronave. Nëse e jep fjalën, zotëri, mbaje”, është shprehur grevistja Mimoza Boçari.

Por Top-Channel ka zbuluar një fakt interesant dhe pak enigmatik, se kjo zonjë e cila parashtroi disa kërkesa të tjera të grevistëve rezulton të jetë pjesëmarrëse në të paktën edhe dy greva të tjera.

Zonja Boçari iu bashkua në 2009-n grevës së urisë organizuar nga PS. Ajo gjithashtu ishte pjesë e protestës së 21 Janarit, ku ajo është filmuar momentin e goditjes së Hekuaran Dedës. Në atë kohë ajo nuk punonte dhe jetonte në Shqipëri, pasi ishte kthyer nga jashtë vendit.

Madje, edhe sot kjo zonjë nuk proteston për largim nga puna. Mësohet se zonja Boçari i është bashkuar kësaj greve në 2014, jo me motivin e largimit nga puna, por për moskthim të pronave. Madje, ajo fton edhe ish-kryeministrin t’i bashkohet grevës.

“Ndoshta kam fatin të dëgjojë Sali Berisha dhe të vijë me mua në grevë se ka thënë se problemin e pronave e ka zgjidhur gabim. Të vijë e të marrë pjesë, pasi ai ka qenë pjesë e kësaj zgjidhjeje të gabuar”, ka thënë ajo.

Sakaq, dy personazhe të tjerë në këtë grevë, zoti Edmond Idrizi, në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit rezulton të ketë një kompani private për riparim baterish të makinave e quajtuajtur “FAMBATERI”. Kurse grevisti tjetër, Artan Murrizi, figuron të jetë i regjistruar me një biznes privat, i cili operon në qytetet Fier dhe Lushnjë.

Top Channel