Studentët drejt tregut të punës

21/05/2014 00:00

Studentët tanimë kanë një mundësi për të kontaktuar me kompani, që ofrojnë vende pune apo bursa studimi për ta. Në ambientet e Fakultetit të Shkencave të Natyrës është hapur “Panairi i Karrierës”, ku dhjetra kompani shpërndajnë pyetësorë për interesat e studentëve dhe zhvillojnë intervista me ta.

Zv/ministri i Arsimit, Arban Mazniku, theksoi se, me reformat që po ndërmerren në Arsimin e Lartë, synohet të përafrohen dijet e studentëve me kërkesat e tregut.

“Duhet të fokusohen te mënyra se si do t’i bëjmë dijet që përfitojmë në shkollë, të aplikueshme në jetën e vërtet dhe se si mund t’i ndryshojmë këto dije, që të bëhen akoma më të aplikueshme apo më shpejt të aplikueshme në jetën e përditshme”, tha Arbian Mazniku, zv/ministër i Arsimit.

Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, tha se përveç kontributeve shoqërore për një vit dhe 4 pagave, të cilat mbulohen nga qeveria, tashmë është gati një fond për 600 studentë, që kërkojnë të bëjnë praktikën në kompani të ndryshme private.

“Ne nuk mund të pranojmë më, që studentët të punojnë në të zezë, apo të bëjnë një praktikë që zgjat 3 muaj, e pastaj të largohet për të ardhur një student i ri, çka nënkupton se një kompani merr punonjës pa pagesë dhe mund ta vazhdojë këtë deri në pafundësi. Që t’i japim fund kësaj, ne kemi aprovuar me një VKM tjetër, një kuotë për 600 studentë. Kjo do të thotë se në qoftë se jeni një kompani, dhe s’jeni të gatshëm sot të ofroni një vend pune, por doni të ofroni vetëm intershipin dhe praktikën, atëherë ne do të mbulojmë me një pagesë 6-mujore. Pra, atë që ne e quajmë pagesën e papunësisë, ne do ta japim si pagesë të praktikës”, u shpreh Erion Veliaj, ministër i Mirëqenies Sociale.

Në Panairin e Punës merrte pjesë Ambasadorja e Francës në Tiranë, si dhe rektori i Univeristetit të Tiranës, Dhori Kule, të cilët vlerësuan këtë panair si një mundësi e mirë për studentët.

Top Channel