Greva e të shkarkuarve nga puna

21/05/2014 00:00

Shoqata e të larguarve nga puna tentoi të mërkurën nisjen e një greve urive përpara piramidës, në të majtë të godinës së Këshillit të Ministrave.

Ata deklaruan se nëpërmjet kësaj greve kërkojnë që të zbatohen vendimet e gjykatës për t’u rikthyer në punë, vendime për të cilat ata pretendojnë se nuk janë zbatuar ende.

Gjatë pasdites së të mërkurës u tentua vendosja e një çadre e cila do të shërbente si ambient i grevës, ku priten të futen 6 burra dhe 4 gra. Por vendosja e saj nuk u lejua pasi sipas policisë, dokumentacioni nuk ishte i rregullt.

Gjatë mbrëmjes deputetë të Partisë Demokratike u përplasën me policinë, e cila u mundua të ndalonte çuarjen në ambientin e grevës të dy banjove të lëvizshme.

Gjithashtu, në orët e mbrëmjes grevistët u vizituan nga ish-kryeministri Sali Berisha. Kryetarja e shoqatës së të larguarve nga administrata, Nertila Qafzezi deklaroi për mediat se greva do të vazhdojë në qiell të hapur.

Top Channel