Kushte atmosferike të paqëndrueshme dhe reshje shiu, parashikimi i motit për këtë të mërkurë Kreu i Shkollës së Magjistraturës, Neshat Fana, më herët anëtar në Këshillin e Lartë të Drejtësisë mendon se projektligji “për organizimin dhe funksionimin e KLD-së” që do t’u shpërndahet për mendim të gjithë aktorëve të drejtësisë, nuk sjell asnjë risi e cila do të mund t’i shërbente reformës së shumëpërfolur.
“Të gjitha këto që parashikohen në ligj sot zbatohen nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë sepse ka marrë vetë vendime për t’i rregulluar këto probleme. Pra nuk përbën ndonjë risi, nuk përbën ndonjë reformë. Për mua kjo nuk është reformë. Për mua kjo është u mbars mali dhe polli nje mi. Do isha i mirëpritur të më jepej një draft, një produkt i cili vërtet më bindte që do të bënte Këshillin e Lartë ndryshe, me kompetencë tjetër, ndoshta dhe me aktorë të tjerë të cilët do t’i japin një tjetër impuls punëve të drejtësisë”, thotë Fana.
Zoti Fana këmbëngul se në legjislacionin aktual për KLD anëtarëve u ndalohet promovimi dhe transferimi, Ministri i ka të drejtat për të kërkuar procedimin disiplinor për gjyqtarët dhe për çdo mbledhje mbahet një procesverbal, të cilat përmenden si disa nga ndryshimet e propozuara në projektligj.
Kreu i Magjistraturës e shikon të dyshimtë vetëm njërën nga pikat e propozuara për ndryshim dhe që ka lidhje me nenin shtatë, kur përveç mbarimit të mandatit të anëtarit shtohet koncepti i shkarkimit të tij.
“Këto propozime që bëhen janë propozime në eter. Është e parregulluar sepse nuk përcaktohet procedura, nuk përcaktohen rastet kur anëtari i KLD është në shkelje të ligjit, ose në shkelje të Kushtetutës, nuk përcaktohet mekanizmi që e gjykon këtë rast, nuk përcaktohet autoriteti që vë në lëvizje dhe kë vë në lëvizje për të shkarkuar anëtarin e KLD. Në ç’mënyrë shkarkohet anëtari i KLD-së? Kush e merr këtë vendim dhe me çfarë modalitetesh? Nuk përcaktohet asgjë. Duke mos përcaktuar asgjë kjo është një dispozitë deklarative”, shton ish-anëtari i KLD-së.
Për kreun e shkollës në të cilën përgatiten prokurorët dhe gjyqtarët, reforma në KLD pikësëpari duhet të nisë duke përfshirë në debat vetë ata dhe dhe jo politikën, ndërsa së dyti KLD duhet t’i jepen më tepër kompetenca.
“Unë personalisht kam qenë vazhdimisht i mendimit që inspektoriati duhet të ketë vetëm një, dhe ai duhet të jetë vetëm KLD dhe jo Ministri i Drejtësisë. Unë do të isha i mendimit që Ministri i Drejtësisë të mos kishte asnjë rol këtu, tek inspektimi jo e jo, por edhe tek procedimi disiplinor, duhet t’i jepet KLD-së, duhet të forcohet KLD”, deklaroi Neshat Fana.
Në projektligj sillen si risi e drejta e anëtarit të KLD që voton kundër për ta argumentuar votën e tij me shkrim si edhe përcaktohet një afat një-mujor, kohë brenda të cilës duhet të nisë procedimi disiplinor ndaj gjyqtarit sapo në KLD të jetë dorëzuar raport-inspektimi ndaj tij.
Top Channel