Jo vetëm një ditë për jetimët

20/05/2014 00:00

Arsim, punë dhe strehë i kanë kërkuar kryeminsitrit Edi Rama dhe kryetarit të Kuvendit Ilir Meta  personat që gëzojnë statusin e jetimit.

Në Ditën Kombëtare të Jetimëve, kreu i shoqatës Kadri Alia  ka bërë thirrje që qeveria të mos harrojë këta persona të cilët rriten të vetëm.

“Në ato konvikte, që për mendimin tim janë geto, janë vajza nga 18 në 40 vjeç pa punë, pa kushte, në një kohë kur janë fëmijë të shtetit. Kemi 3.800 jetimë që nuk shkojnë në shkollë sepse s’kanë bukë, s’kanë libra e veshje”, deklaroi Alia.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta vlerësoi vullnetin e qeverisë për arsimin profesional, ku sipas tij mund të përfitojnë edhe personat jetimë për të pasur më vonë një punë të sigurtë.

“Sot unë jam i bindur se ekziston një vullnet më i madh sesa deri dje. Besoj se me rëndësinë që kjo qeveri i kushton arsimit profesional jep zgjidhje jo vetëm për problemin e arsimimit për sot, por edhe të punësimit për nesër. Shumë prej jush do përfitojnë”, deklaroi Meta.

Ndërsa kryeministri i vendit, i pranishëm në aktivitetin “Jetimet Gëzojnë” u angazhua për kujdes të veçantë për fëmijët jetimë.

“Sot është një ditë për të festuar, por të tjerat janë për të mos harruar jetimët dhe nënat kryefamiljare. Jemi të vetëdijshëm për situatën jo të lehtë të jetimëve, për të cilët ne do bëjmë më të mirën për t’u dhënë atyre kushtet që meritojnë. Dhe po për nënat kryefamiljare ne angazhohemi sot këtu që të çojmë përpara idenë tonë për një politikë të veçantë mbështetjeje”, deklaroi Rama.

Në Shqipëri përllogariten rreth 32 mijë fëmijë jetimë, të cilët derisa përfundojnë shkolëen 9-vjeçare qëndrojnë në shtëpitë e fëmijës e më pas strehohen nëpër konvikte deri në moshën 18 vjeç, kur konsiderohen të aftë për të punuar.

Qendër për jetimët e Gjirokastrës
“Zemër Nëne”, projekti në mbështetje të fëmijëve

Qendra e Fëmijëve Jetimë “Zemër Nëne” në Ditën Botërore të Jetimëve ka organizuar një event festiv me pjesëmarrjen e dhjetëra fëmijëve jetimë nga i gjithë Qarku i Gjirokastrës.

Shoqata që funksionon prej vitesh ka në radhët e saj familjet e 450 fëmijëve jetimë nga i gjithë Qarku. Znj. Liljana Katirai ka dorëzuar fillimisht statusin për dy fëmijë jetimë që kanë humbur prindërit rishtas, ndërsa tha se mbështetja dhe vëmendja për këta fëmijë është përgjegjësi e gjithë shoqërisë.

Ajo tha se ngritja e një qendre ditore për këta fëmijë në Gjirokastër, qendër që gjendet në fazën finale të rikonstruksionit do të shërbejë për të asistuar disa nga nevojat bazë të tyre ndërsa do të asistojë dhe nevojat ekonomike dhe psikologjike të kujdestarëve të tyre, prindër të vetëm apo gjyshër.

“Është një eveniment shumë i rëndësishë. Ka 10 vjet rishtaz që bëhet për t’i ardhur në ndihmë këtyre fëmijëve jetimë. Kemi një godinë të madhe, ku në fokus janë 450 jetimë të Qarkut të Gjirokastrës”, thotë Liljana Katirai, Drejtore e Qendrës “Zemër Nëne”.

Kreu i Bashkisë së Gjirokastrës tha se godina pronë publike e bashkisë u vu në dispozicion të kësaj kategorie për të përmbushur një detyrim të munguar të shoqërisë ndaj atyre që kanë humbur prindërit.

Dita Ndërkombëtare e Jetimëve në Gjirokastër u mbështet me dhurata nga biznese të ndryshme.

Top Channel