Cërrik, dëme të reja nga tërmetet

20/05/2014 00:00

Dy lëkundje të tjera tërmeti goditën sërish zonën e Cërrikut dhe Belshit mëngjesin e së martës. Në orën 6 e 43 minuta një tërmet me forcë të konsiderueshme prej 4.5 ballë e shkallës Rihter shkaktoi dëme të tjera në shtëpitë gjysmë të shkatërruara nga tërmeti i një dite më parë.

Sërish në orën 07 e 06 minuta një tërmet më i lehtë u ndje në zonë, i pasuar nga një tjetër rreth orës 13:20. Paniku përfshiu gjithë qytetin, ndërsa ata që kishin sfiduar frikën e tërmetit, për të mbrojtur banesat, dolën sërish në rrugë në panik.

“Pallati është i vjetër dhe është i pabanueshëm. Ka plasaritje, të çara, kemi frikë të rrijmë në shtëpi”, tregon një grua.

Frika nga tërmetet që po vijojnë prej dy ditësh ka shtuar edhe më shumë pasigurinë e familjeve që tashme qëndrojnë në rrugë, para ndërtesave me mure të çara dhe kërkojnë ndihmë.

“Shtëpia është bërë e pabanueshme. Të gjithë po dalin në rrugë. Ne duam ndihmë nga shteti, duam shtëpinë”, thotë një banore.

Kryetari i Bashkisë së Cërrikut, Servet Duzha ka mbledhur shtabin e emergjencave pranë bashkisë për të verifikuar nëse lëkundja e mëngjesit të sotëm ka shkaktuar dëme të tjera.

Ai bën apel për ndërhyrje pasi tre pallate, numër 13, 16 dhe 86 janë të pabanueshme dhe rreth 66 familje janë në rrugë. Sipas Duzhës, e vemtja ndërhyrje që mund të bëjë bashkia me kapacitetet e saj është strehimi provizor i këtyre banorëve në shkolla dhe konvikte.

Një pjesë e familjeve që s’munden të gjejnë strehim tek të afërmit kanë qëndruar në konviktin e shkollës së mesme. Ata kanë me vete vetëm rrobat e trupit, ndërsa shtëpitë i kanë gati për t’u shembur.

Tërmetet kanë shkaktuar dëme edhe në zonën e Belshit, ku dy shkolla 9-vjeçare janë dëmtuar rëndë, ndërsa dy shtëpi janë bërë të pabanueshme. Lëkundjet sizmike janë ndjerë me intensitet të lartë edhe në qytetin e Elbasanit, por pa shkaktuar dëme.

Top Channel