Korpusi i Vullnetarëve ka vazhduar fushatat për pastrimin e mjediseve dhe zonave turistike. Rreth 150 vullnetarë të korpusit, në bashkëpunim me Komunën Qendër në Vlorë kanë pastruar plazhin e Zvërnecit nga mbeturninat e shumta, në prag të fillimit të sezonit turistik.

Drejtuesi i Korpusit të Vullnetarëve, Mentor Kikia vlerësoi faktin që përvec shoqatave ambientaliste edhe ushtria është përfshirë në aksione për pastrimin e territorit, por sipas tij kjo nuk është zgjidhja që duhet t’i japë fund ndotjes së mjedisit. Kikia thotë se vetëm zbatimi i ligjit dhe ndëshkimi i personave që ndotin ambientin do të frenojë këtë fenomen.

“Ne jemi këtu për të pestën vit radhazi duke pastruar Parkun e Zvërnecit, por cdo vit që vijmë e gjejmë edhe më të ndotur. Duhet të forcohet ligji, duhe të veprojë forca e ligjit mbi lokalet që hedhin mbeturinat, mbi qytetarët që hedhin mbeturinat, por edhe mbi pushtetin vendor që në tërë këtë plazh nuk ka vendosur kazanë”, thotë Kikia.

Edhe një nga vullnetarët e angazhuar në këtë aksion tha se vetëm zbatimi i ligjit mund të sjellë rezultate konkrete, duke minimizuar ndotjen ambientit.

“Ndotja këtu është e jashtëzakonshme, ekstreme. Ne e kemi pastruar disa herë edhe brenda një viti, dhe sa herë që vijmë gjejmë më shumë mbetje të tjera. Vërejme se vitet e fundit me rregullimin e infrastrukturës problemi nuk është më shumë tek qytetarët, por tek bizneset që ndodhen këtu pranë kanë gjetur zgjidhjen më të arsyeshme që të hedhin mbeturinat në park, ndërkohë që është një ndotje gjigante, që prish mjedisin turistik, habitatin natyror dhe është një dëm shumë i madh për qytetarët që frekuentojnë këtë zonë. I bëjmë thirrje pushtetit vendor që të vendosë kazanët që edhe bizneset t’u mundësohet hedhja e mbeturinave dhe bizneset të jenë të detyryar që t’i hedhin aty, të veprojë ligji mbi ta dhe të mos lejohet kjo gjendje kaq alarmante”, thotë mësuesi Thimo Ribaj, pjesë e Korpusit të Vullnetarëve.

Zvërneci, edhe pse është një nga plazhet më të mëdha dhe frekuentuara në vend, vazhdon të mos ketë asnjë infrastrukturë që do të mundësojë uljen e ndotjes së mjedisit. Në të gjithë plazhin mungojnë koshat për hedhjen e mbeturinave dhe kazanët e plehrave. Për pasojë të gjithë pronarët e lokaleve i hedhin mbeturinat në hyrje të parkut duke e bërë atë tërësisht të ndotur.

Top Channel