Në orën 2 e 59 minuta të mëngjesit të së hënës, një tërmet me fuqi 5.2 të shkallës Rihter, me epiqendër 3 kilometra në jug të Belshit dhe 13 kilometra në veri të Kuçovës goditi vendin.

Më pas vijuan edhe 6 goditje të tjera me intensitet më të ulët, e dyta në orën 3 e 6 minuta në fshatin Mollas, në orën 3 e 16 minuta 6 kilometra në jug-perëndim të Gostimës një tjetër lëkundje 4.1 e shkallës Rihter, e kështu me radhë lëkundje të tjera me intensitet më të ulët, deri në lëkundjen e fundit prej 3 të ballë që goditi në orën 5 e 39 minuta sërish pranë Belshit.

Thellësia e tërmetit ka qenë e vogël nga 2 deri në 14 kilometra. Lëkundjet e forta e forta në shumë qytete shkaktuan panik, aq sa në zonat afër epiqendrës shumë persona e kaluan natën jashtë. Në Belsh disa banesa janë bërë të rrezikshme për shkak të dëmtimeve të mëdha që kanë pësuar.

“Ka dëmë në dy ambiente publike, sic janë shkolla 9-vjeçare Qendër Belsh, gjithashtu dhe shkolla 9-vjeçare e fshatit Qafë-Shkallë të Bashkisë Belsh. Por jo vetëm këto objekte, kemi edhe dëmtime të banesave të qytetarëve”, deklaroi Blerim Tafani, nga Emergjencat Civile në Belsh.

Dëmtime të rënda ka pësuar edhe Shkolla e Mesme në Bashkinë e Belshit, një kat i së cilës është bërë e rrezikshme. Por situata është më e rëndë në Bashkinë e Cërrikut, ku disa pallate janë dëmtuar shumë rëndë duke i bërë të pabanueshme.

Ekspertët e Emergjencave Civile i kanë kërkuar me urgjencë bashkisë nxjerrjen e të gjithë banorëve jashtë banesave të tyre për shkak se pallatet janë të rrezikshme dhe mund të shemben në çdo moment. Bëhet fjalë për dhjetëra familje tashmë të pastreha. Banorët treguan tmerrin e sekondave kur muret e shtëpive po çaheshin.

“Mora fëmijët dhe burrin të iknim, por nuk na hapej dera. Kërkuam ndihmë. Komshiu mezi hapi derën duke e shqyer. Ka shumë dëme dhe kemi frikë të rrijmë brenda”, tha një banore. “Jashtë po rrijmë të gjithë, gra e burra. Kishim frikë se mos binte prapë, se këto mure lëvizin”, u shpreh një tjetër.

“Janë 50 familje të prekura nga tërmeti. Kryesisht janë dëmtuar pallati 13, 16 dhe 86, që kanë rreth 34 familje të identifikuara. Janë dëmtuar muret mbajtëse e ndarëse. Kemi këshilluar banorët të lënë banesat dhe kemi hartuar një plan masash për t’i vendosur diku”, deklaroi Fatmir Uruçi, drejtor i Urbanistikës në bashkinë e Cërrikut.

Emergjencat civile po japin ndihmën ndërsa i është kërkuar Bashkisë së Cërrikut gjetja e një strehimi alternativ, ndërkohë që dy pallatet e dëmtuara do bllokohen.

Dëme raportohen edhe në rrethin e Lushnjes, në fshatrat Hysgjokaj dhe Algjinaj janë të paktën 20 banesa të dëmtuara dhe një e rrafshuar plotësisht.

Një banesë në Hysgjokaj u dëmtua aq shumë sa për pak zuri brenda familjen me 9 anëtarë. Emergjencat Civile po punojnë për evidentimin e të gjitha dëmeve të shkaktuara në dy prefekturat, të Elbasanit dhe Fierit.

4 familje vendosen në konviktin e shkollës së mesme profesionale në Cërrik

Nga ambientet e konviktit të shkollës së mesme profesionale në qytetin e Cërrikut, gazetari i Top Channel, Thimi Samarxhiu ka raportuar se në këto ambiente aktualisht janë zhvendosur 4 familje, të cilat banonin në pallatet të cilët u dëmtuan gjatë tërmetit.

Të pranishëm në këto ambiente, për të vizituar këto familje, ndodheshin edhe kryetari i Bashkisë së Cerrikut, Servet Duzha, si edhe prefekti i Qarkut të Elbasanit, Arben Kamami.

Kryetari i Bashkisë së Cërrikut ka bërë të ditur se 9 familje kanë mbetur të pastreha, pasi shtëpitë e tyre janë kthyer në të pa banueshme.

“Në ambientet e konviktit të shkollës së mesme profesionale ndodhen vetëm 4 familje, megjithëse tërmeti ka bërë të pa banueshme 9 banesa, 5 prej familjeve të tjera janë strehuar te të afërmit”, ka thënë zoti Duzha.

Sipas prefektit të Elbasanit janë ngritur 2 grupe për verifikimin e dëmtimeve dhe përcaktimin e shkallës së dëmtimit në këto banesa.

“Do të bëhet verifikimi i dëmeve në banesa dhe më pas do të llogaritet kostoja e tyre, në mënyrë që të kemi mundësi”, u shpreh Arben Kamami, i cili shtoi se i është kërkua ndihmë Ministrisë së Brendshme, konkretisht Drejtorisë së Emergjencave Civile si edhe Drejtorisë së Rezervave të shtetit për të ndihmuar këto familje për nevojat e tyre bazë.
 
 

Top Channel