Pozitë-opozitë, debate për drogën

19/05/2014 00:00

Zëvendës/ministrja e Brendshme Elona Gjebra deklaroi se, falë bashkëpunimit mes policisë shqiptare dhe asaj të vendeve të tjera, është arritur të intensifikohet lufta kundër trafikut të drogës dhe të bllokohen sasi, si asnjëherë më parë. Ata që dalin në protesta – tha Gjebrea – kanë qenë vetë të implikuar në të tilla trafiqe.

“Gjatë muajit Prill 2014 u arrit të kapej 357% më shumë drogë, se sa e njëjta periudhë e një viti më parë. Policia e Shtetit është e vendosur që të mos stepet dhe as të dekurajohet nga sulmet dhe presionet e autorëve të vërtet të kësaj situate absurde.

Bashkëpunimi me partnerët tanë strategjik ka arritur nivele shumë të mira, çka konfirmohet në vijimësi edhe nga drejtuesit e policive të këtyre vendeve. Po ashtu, edhe nga përfaqësuesit diplomatikë të tyre në vendin tonë.

Ne mbetemi të vendosur për ta hequr njëherë e mirë Shqipërinë nga harta e zezë e kultivimit të bimëve narkotike, ku sigurisht e gjetëm, por ku nuk do ta lemë më, sepse vendi i Shqipërisë nuk është aty, ku e lanë ata që sot bërtasin kundër qeverisë, por është përkrah vendeve të tjera të familjes europiane”, tha Gjebrea.

PD: Droga shqiptare, kudo në Europë
Qeveria nuk po merr asnjë masë, vetëm sulmon opozitën

Por për Partinë Demokratike, droga shqiptare po mbërthen Europën, ndërsa qeveria nuk po merr asnjë masë dhe kryeministri vetëm sulmon opozitën.

“Qeveria, duke u vetëdenoncuar cdo ditë si pjesë e kartelit të drogës nuk merr asnjë masë, nuk jep asnjë shpejgim dhe nuk mban asnjë përgjegjësi. E vetmja gjë që bën është sulmi ndaj opozitës. Cdo ditë kapen mijëra kilogramë drogë shqiptare në vendet Evropiane dhe sërish qeveria sulmon opozitën”, deklaroi deputetja Voltana Ademi.

Top Channel