Ministria e Drejtësisë ka bërë publik draftin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin ‘Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë’”.

Drafti është dërguar për mendim në drejtim të disa institucioneve kryesore në sistemin e drejtësisë, si dhe prezencës së OSBE-së, delegacionit të BE-së dhe misionit OPDAT.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, ai pritet t’i japë zgjidhje një sërë çështjeve me të cilat ndeshet aktualisht KLD-ja. Kështu, ky projektligj parashikon se si do të bëhet transferimi apo ngritja në detyrë e anëtarëve të KLD-së, se si do të shmanget konflikti i interesit, etj.

Pika të tjera të cilat pritet të marrin zgjidhje lidhen edhe me vlerësimin profesional dhe etik të kryeinspektorit dhe inspektorëve të KLD-së, si dhe papërputhshmëria e ligjit aktual me ndryshimet e fundit kushtetuese dhe ato në Kodin e Proçedurës Penale mbi imunitetin e gjyqtarëve.

Naço në Holandë: Lufta ndaj korrupsionit fillon nga gjyqësori

Nderkohe, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço ndodhet në Holandë për një vizitë zyrtare, ku u takua me homologun e tij holandez, Ivo Opselten.

Në deklaratën e përbashkët për mediat, dy ministrat vlerësuan reformat e nisura nga qeveria shqiptare në përgjithësi, dhe në vecanti ato në fushën e drejtësië. Ministri Naço u shpreh i vendosur për të çuar përpara këto reforma, të cilat tha ai, do të flasin me gjuhën e Brukselit.

Ndërsa Ministri Ivo Opselten vlerësoi progresin e arritur në Shqipëri dhe ambicien e qeverisë së re në drejtim të reformave, duke shtuar se rruga e nisur do të sjellë rezultatet e saj në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, si dy fenomene shqetësuese në vendin tonë.

Gjatë kësaj vizite, zoti Naço zhvilloi një takim edhe me presidentin e Gjykatës së Lartë, ku tha se lufta ndaj korrupsionit në Shqipëri do të fillojë nga gjyqësori, si dhe me kryetaren e komisionit parlamentar për drejtësi dhe siguri.  

Top Channel