Edhe fëmijët në industrinë e drogës

19/05/2014 00:00

Qindra fëmijë janë  kthyer në punëtorë të asaj që quhet industria e prodhimit dhe paketimit të marijuanës në Lazarat.

Cdo sezon mbi 300 fëmijë punësohen në këtë zonë të Shqipërisë, duke siguruar të ardhura të mëdha për familjet e tyre. Por vec fëmijëve të familjeve të zonës ka edhe fëmijë të tjerë që të shtyrë nga nevoja merren në punë nga kultivuesit e kësaj bime narkotike.

Përfaqësuesi i UNICEF-it në Shqipëri Detlef Palm tha se asnjë shoqëri nuk mund të lejojë që fëmijët e tyre të kriminalizohen.

“Jemi shumë të shqetësuar për punën sezonale të fëmijëve për kultivimin e kanabisit .Ata mund të fitojnë para, por jetët e tyre janë të marra fund në këtë pikë. Asnjë shoqëri nuk mund të lejojë që fëmijët e tyre të kriminalizohen se ata jetojnë në rrugë dhe të bëjnë para në rrugë. Reforma e kujdesit shoqëror do të ndihmojë për ndryshimin e kësaj situate”, thotë Detlef Palm, përfaqësues i UNICEF në Shqipëri.

Studimi kombëtar ka nxjerrë në pah se janë mbi 2500 fëmijë që shfrytëzohen në rrugë, mes tyre rreth 100 foshnje që  trafikohen, detyrohen të lypin në rrugë, punojnë në miniera, apo shesin sende të ndryshme në rrugë.

Gati në cdo rrugë qendrore të Tiranës ndeshesh me fëmijë që lypin, ndaj Ministri i Mirëqënies Sociale ka kërkuar të ndalet dhënia e lëmoshës.

“Një fëmijë në situatë rruge, gjeneron të ardhura për tutorin e vet, deri në 100 mijë lekë në ditë. Nëse mendoni se duke dhënë një lëmoshe jeni duke ndihmuar personin që shihni tek dritarja e makinës, gaboheni! Jeni duke ndihmuar personin që po e abuzon, po e përdor ose po e trafikon atë fëmijë. Ne e dimë fare mirë se kush e ka përgjegjësinë, por nuk do të refuzojmë të mbajmë përgjegjësitë tona, kompetencat tona për të ndërhyrë. Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe në Bashkinë e Tiranës dhe ne cdo bashki tjetër që refuzon kur vjen puna tek cështja e fëmijëve të rrugës, apo atyre që janë në situatë krize”, tha Ministri Veliaj.

Veliaj ka kërkuar ndihmën e Ministrisë së Arsimit, Shëndetësisë dhe prokurorisë për ndalimin e këtij fenomeni, dhe ka shtuar se po ngrihet një plan veprimi konkret për ndaljen e këtij fenomeni.

Top Channel