
Pjesën publike të mbledhjes me deputetët e opozitës, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e shfrytëzoi për të dhënë argumenta përse qytetarët duhet t’i bashkohen protestës që opozita ka thirrur të premten paradite përpara kryeministrisë.
“Ata që përfitojnë nga kjo veprimtari kriminale janë gjithmonë vetëm një grusht njerëzish të cilët kanë synime që përmes parave të pista të drogës të kapin infrastrukturën politike të vendit, të kapin shtetin dhe qeverisjen. Dhe këtu vijmë tek përgjegjësia direkte e Edi Ramës dhe e kupolës së tij. Ne akuzojmë kryeministrin për nxitje dhe inkurajim të trafikut të lëndëve narkotike përmes fshehjes të së vërtetës, talljes me denoncimet e opozitës, dëshmi të shtypit dhe të qytetarëve, indiferencës ndaj kërcënimeve mafioze që kanë marrë gazetarët dhe qytetarët. Karteli i drogës na shfaqet si bashkëfirmëtar në kontratën e pushtetit me Edi Ramën dhe Ilir Metën”, tha Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kërkoi nga deputetët e opozitës dhe të gjitha strukturat e saj në bazë angazhim maksimal për protestën e së premtes përpara kryeministrisë. Për kreun e Partisë Demokratike pjesëmarrja masive do të thotë një mundësi më shumë për të arritur qëllimin e kësaj proteste, largimin e Edi Ramës nga kreu i qeverisë.
“Thirrja jonë është tani është ora për të vepruar. Të dalim të premten në protestën e thirrur nga opozita në Tiranë, të bëhëmi në praninë tonë pjesë e një bashkimi të madh dhe të fuqishëm që do ta detyrojë kartelin e drogës të marrë arratinë dhe Edi Ramën të shkojë në shtëpi. Prania është bashkim, është kundërshtim, është forcë, është fitore”, deklaroi Basha.
Partia Socialiste ironizon protestën e PD-së
Partia Socialiste vazhdoi ndërkohë me ironizimin e protestës që Partia Demokratike do të organizojë ditën e premte. Deputetja Vasilika Hysi, në një dalje para mediave, u bëri thirrje shqiptarëve t’i bashkohen protestës kundër drogës me ata që sipas saj kanë mbushur xhepat me trafikun e drogës në 8 vitet e fundit.
“Dilni në protestë sepse ky është rasti i vetëm për të protestuar krah për krah me ata që janë të dëshpëruar se policia po bën detyrën dhe po i mbyll rrugët e trafikut. Dilni në protestë për të protestuar me ata që mbushën xhepat me trafikun e drogës dhe me kontrabandë nafte dhe cigaresh.Dilni për të mbështetur ata që shpërthyen Gërdecin dhe vranë protestuesit e pafajshëm në 21 janar”, tha Hysi.
Deputetja socialiste shtoi se opozita po shpif tani që “statusi kandidat është më afër se kurrë dhe tani që Europa po na mbështet”. “Opozita e çoroditur e sheh krimin si aleat në luftën ndaj shtetit dhe ligjit”, tha Hysi.
Top Channel