Reforma në arsimin e lartë

18/05/2014 00:00

Drafti për reformën në arsimin e lartë është kundërshtuar nga këshilli drejtues i Fakultetit të Filologjisë dhe Historisë. Profesor Artan Fuga ka kundërshtuar disa pika të këtij draftit që lidhen me financimin dhe  autonominë.

“Buxheti dhe fondi që do të shkojë për mësimin në etapën e parë do të jetë vetëm për universitetet publike, por thuhet se në etapën e dytë, pas 2 ose 3 vjetësh, të gjitha universitetet private që do të pranojnë të kalojnë në fondacion do të trajtohen njësoj si ato publike. Buxheti që është sot për universitetet publike do të shpërndahet nesër sipas shpërndarjes së studentëve dhe në 20 apo 30 universitete private që do të pranojnë të bëhen fondacion. Edhe në etapën e parë për punën shkencore, për ekselencën edhe për shkollën doktorale do të ketë një shpërndarje të buxheteve mbi bazën e konkurrimit”,  tha Artan Fuga.

Krijimi i agjencive dhe ndikimi që ato do të kenë mbi universitet është një element që shikohet si cenim i autonomisë nga profesor Fuga.

“Jam kundër faktit që puna shkencore, performanca pedagogjike, performanca mësimore në instancë të fundit të vlerësohet nga 4 agjenci kombëtare, të cilat do të formohen nga borde të emëruara sepse humbet koncepti i sotëm i vlerësimit të punës shkencore dhe mësimore nga të ngjashmit”, u shpreh Artan Fuga.

Masivizimi i universiteteve ka bere qe vetëm 10 % e studenteve të gjejnë vende pune, ndaj është e rëndësishme që kjo pikë të shihet me kujdes.

“Unë jam gati të vërtetoj që shumë më pak se 10% e studentëve që përfundojnë universitetin gjejnë punë. Sistemi prodhon papunësi dhe drafti që na propozohet do ta shtojë këtë papunësi. Ne kemi një sistem që prodhon dije gjeneraliste. Drafti bënë vetëm një analizë administrativo-financiare dhe nuk hynë në analizën e cilësisë së produktit”, shtoi Fuga.

Profesor Artan Fuga, ka kundërshtuar rritjen e tarifave të studentëve dhe ka shtuar se kjo  reforme nuk ka asnjë lidhje me modelin anglosankson.

Top Channel