Rreziku nga hipertensioni

17/05/2014 00:00

Një në tre persona në Shqipëri vuan nga hipertensioni dhe po kështu  ndër ata persona që kanë tension të lartë të gjakut vetëm 1 në 3 e kanë diagnostikuar pasi dy të tjerët nuk e dinë që kanë probleme me presionin e lartë të gjakut.

36  deri në 40 përqind e popullsisë në Shqipëri  është me hipertension  dhe mosha  tij tashmë është ulur duke prekur edhe të rinjtë. Në ditën ndërkombëtare të hipertensionit mjekët bëjnë thirrje për matje të vazhdueshme të presionit të gjakut.

“Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë është vrasësi i parë në botë. Vret më shumë se të gjithë sëmundjet e tjera, dhe duke qenë se rrallë herë takohet i vetëm, është shumë i zakonshëm me diabetin, shumë i zakonshëm me sëmundjet e veshkave, bëhet akoma më i mprehtë mjekimi i tij, sepse në shumë nga këto sëmundje, shpesh herë është shumë më e rëndësishme të mjekosh tensionin se sa sëmundjen bazë”, Prof.Dr Mihal Tase, Shef i Shërbimit të Hipertensionit.

Rritja e presionit të gjakut është rreziku kryesor për vdekjen pasi  konsiderohet faktor  i lartë risku për sëmundjet e zemrës, goditjen në tru, sëmundjen e veshkave dhe të syrit . Tensioni i lartë mund të jetë i trashëgueshëm, por lidhet edhe me një sërë faktorësh, si mbipesha apo mënyra e të ushqyerit.

Kripa konsiderohet armiku kryesor i presionit të gjakut dhe në traditën tonë vecohen ushqimet me shumë kripë, me shumë yndyrë dhe ëmbëlsirat  të cilat ndikojnë për keq në organizëm.

Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj duke u fokusuar në kontrollet bazë që do të nisin në muajin tetor për moshën 40 deri në 65 vuri theksin në parandalimin e hershëm të një sërë sëmundjesh.

“Gjëja kryesore, edhe e kësaj ditë, edhe e përpjekjeve tona janë që të zhvendosim gjithmonë e më tepër sistemin tonë drejt shëndetit, sistemit tona janë të fokusuara drejt sëmundjes. Sa më shumë ta zhvendosim drejt shëndetit, aq më fituar jemi në zgjatjen e jetës dhe në shkurtimin e periudhave me invaliditet sepse këto janë sëmundje që mjekët i quajnë vrasës të heshtur, sepse me to mund të bashkëjetosh gjatë, por cilësia e jetës, rendimenti në jetë bie”, deklaroi Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Për të mbajtur në kontroll  presionin e gjakut  këshillohet të konsumohet një dietë e ekuilibruar, të mbahet një peshë trupore e shëndetëshme, të shmanget alkooli, duhani dhe si dhe te kryhet aktivitet fizik i rregullt.

Top Channel