Presidenti i Republikës i kthen mazhorancës një tjetër ligj. Kreu i shtetit nuk ka dekretuar ndryshimet në ligjin për funksionimin e Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit.

Në faqen e institucionit të Presidencës është publikuar dekreti për kthimin e ligjit për rishqyrtim në Kuvend. Në arsyetimin e dekretit, Presidenti nuk është dakord me ndryshimin thelbësor të ligjit “Për zgjedhjen e kreut të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit e Kontrollit të Pasurive”.

Sipas këtij ndryshimi, kreu i ILDKP nuk propozohet më nga Presidenti i Republikës, por i nënshtrohet një tjetër procedure, ashtu si shumë drejtues të tjerë institucionesh, përmes seleksionimit të kandidaturave në Kuvend dhe miratimit të kandidaturës finale nga legjislativi.

Presidenti Bujar Nishani thotë se ky ndryshim prek Kushtetutën. Pavarësisht se pohon që propozimet e kandidaturave të ILDKP nuk janë të shkruara në nenin 92 të Kushtetutës, ku parashikohen kompetencat e tjera të kreut të shtetit, Presidenti i referohet nenit 94 që, sipas tij, shpreh qartë qëllimin e konstitucionalistëve për t’i mundësuar ligjvënësit një lloj fleksibiliteti, në përcaktimin e kompetencave të tjera për Presidentin – thotë ndër të tjera Nishani, i cili i cilëson ndryshimet ligjore politikisht të njëanshme.

“Heqja e kompetencës së Presidentit të Republikës për të propozuar kandidaturat për përzgjedhjen e Inspektorit të Përgjithshëm të ILDKPKI-së, në përputhje me kriteret e mirëpërcaktuara në ligj, është një akuzë institucionale që i bëhet Presidentit të Republikës, si organ kushtetues, për njëanshmëri politike, duke qenë në kundërshtim me parashikimet kushtetuese dhe funksionin e tij si Kryetar Shteti”.

Këtyre sqarimeve, Presidenti i shton edhe atë të minimizimit të pavarësisë së institucionit të deklarimit të pasurive, në rast të emërimit të tij vetëm nga Kuvendi. Argumentat e përdorura nga Presidenti i Republikës janë ato, që edhe opozita deklaroi në Kuvend, kur u miratuan ndryshimet ligjore.

Kthimi i këtij ligji, shtuar edhe debatin e fundit për emërimin e kandidaturave të Gjykatës së Lartë, thellojnë përplasjet mes Presidentit dhe mazhorancës qeverisëse.

Top Channel