Gjobë edhe përdoruesve të duhanit

16/05/2014 00:00

Ai që konsumon duhan në ambiente publike të mbyllura  tanimë duhet të mendohet mirë. Përveç pronarit të lokalit dhe administratorit të tij, do të ndëshkohet me gjobë edhe duhanpirësi.

Ligji antiduhan ka pësuar disa ndryshime të cilat priet ta bëjnë atë të zbatueshëm.

Ja çfarë thotë Klodian Rrjepaj, zv/ministër i Shëndetësisë: “Nuk do të penalizohen më vetëm pronarët e ambienteve, por edhe vetë personi që shkel ligjin antiduhan. Një risi tjetër në këtë ligj është edhe futja e figurave me ndikim publik. Cdo funksionar i lartë i administratës civile, do të ketë një nivel tjetër gjobe që do të shkojë në 50 mijë lekë të reja.”
 
Një indvid i thjeshtë i cili kapet duke pirë duhan në ambiente publike të mbyllura ndëshkohet me gjobë në masën 5000 lekë, administratori i ambientit publik ndëshkohet me 50 mijë lekë, ndërsa pronari me 300 mijë lekë.

“Ka pasur një problem me vjeljen e gjobave, por me bërjen e fletës së gjobës titull ekzekutiv, ajo kalon në kanalet institucionale të vjeljes nëpërmjet Drejtorisë së Tatimeve, ndërkohë që për personat e thjeshtë dhe ata publikë gjoba do të jetë në bazë të identifikimit të kartës së identitetit dhe do e derdhë gjobën në një llogari bankare që do të hapet për këtë qëllim”, shpjegon Rrjepaj.

Kur individi nuk ka kartë identiteti me vete, në vendngjarje do të thirret policia. Ndërkohë, me ndryshimet e reja në ligj, për zbatimin e tij janë të përfshirë të gjithë inspektoriatet: Inspektoriati Shëndetësor, i Mjedisit, i Transportit, ai i Mbrojtjes kundër Zjarrit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, inspektoriatet e të cilëve, përveç qëllimeve të tyre primare kanë të drejtë të vendosin gjoba në rast të konstatimit të shkeljeve.

Top Channel