Mbrojtja e liqenit të Fierzës

15/05/2014 00:00

Niveli i lartë i dotjes së liqenit të Fierzës nga mbeturina, që vijnë nga Kosova, por edhe komunat e qarkut të Kukësit, ka ulur sot në tryezën e bisedimeve drejtues vendorë, institucionesh, Ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, ministrat e Mjedisit dhe Ambientit, Prefektin e qarkut të Kukësit, si dhe aktorë të tjerë për gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare për këtë çështje.

Prefekti i qarkut të Kukësit ka bërë prezent problemin, që shkakton në liqen ndotja nga mbeturinat, ndërkohë që ka kërkuar bashkëpunim dypalësh për zgjidhjen përfundimtare.

“Besoj se me një bashkëpunim ndërkufitar mes komunave kosovare dhe qarkut të Kukësit, liqeni i Fierzës do jetë gjithmonë i pastër dhe nuk do kemi më probleme”, deklaroi Safet Gjici.

Ndërkohë, sipas ministrit të Ambientit të Kosovës, Dardan Gashi, qeveria e Kosovës është e angazhuar maksimalisht për zgjidhjen e problemit, ku këto ditë ka nisur një projekt për pastrimimin e ujrave të zeza, që derdhen në liqen nga komuna e Prizrenit. Ai tha se tashmë janë duke u hartuar projekte afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata.

“Kosova ka filluar me një investim prej 32 milionësh dhe do pastrojmë ujërat tona që derdhen në Shqipëri. Në aspektin e mbeturinave duhet marrë një masë konkrete dhe e përbashkët”, tha Gashi.

Sakaq, ministri i Mjedisit Lefter Koka tha se, tashmë liqenit të Fierzës do i jepet statusi që i takon, me qëllim që ai të mos ketë funksion vetëm si ujëmbledhës, por edhe si mundësi për zhvillimin e zonës.

“U diskutua për një problem që kërkon një zgjidhje emergjjente, sidomos pas reshjeve të ditëve të fundit. Dolëm me projekte konkrete, që do të votohen në Parlament”, deklaroi Koka.

Kjo është hera e parë, që ulen në tryezën e bisedimeve të dyja palët, të Shqipërisë dhe Kosovës, për marrjen e masave konkrete për një zgjidhje emergjente dhe përfundimtare në fushën e pastrimit të lumenjve, apo liqeneve në të dyja Republikat.

Takimi i sotëm u realizua me ndërmjetësimin e Prefektit të qarkut të Kukësit, Safet Gjici, dhe Ambasadorit të vendit tonë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Top Channel