Presidenti i Urdhrit të Mjekut, Din Abazaj, ishte i ftuar në Revistën Televizive të Mbrëmjes për të folur për rastet fatale të ndodhura së fundi në mjekësinë shqiptare.

Zoti Abazaj ka thënë se rastet e fundit ai i ka mësuar nga media dhe nuk ka pasur asnjë ankesë nga familjarët e pacientëve. Sipas tij në disa raste problemi është tek organizimi dhe efiçenca e vet shërbimit të urgjencës, e cila në rang vendi është e pa strukturuar dhe jo efektive.

Pandi Gjata: Tre raste të rënda kanë ndodhur në mjekësinë shqiptare. A keni bërë hetimin tuaj dhe a bazohet drejtësia në raportet që ju bëni kur i heton këto raste?

Din Abazaj: Bazohet në organet tona të gjykimit disiplinor profesional, kurse drejtësia ka rrugët e veta të gjykimit nuk bazohet në raportet tona, bazohet në ekspertizat mjeko ligjore, të dhënat nga autopsia.

Pandi Gjata: Për tre rastet e fundit a ke zhvilluar ju hetim?

Din Abazaj: Te ne nuk është depozituar asnjë enkas me shkrim, por këto raste ne i kemi marrë nga media, duke marrë informacionet tona të nevojshme.

Pandi Gjata: Nëse keni rezultate paraprake, çfarë ka konkluduar nga hetimet tuaja?

Din Abazaj: 
Rezultatet janë paraprake. Për sa i përket rastit të foshnjës në urgjencën e Tiranës, problemi është tek organizimi dhe efiçenca e vet shërbimit të urgjencës. Në rang vendi ne kemi një shërbim urgjence të paorganizuar, të pa strukturuar dhe jo efektiv. Urgjenca është një shërbim jetë shpëtues, ku të sëmurit i jepet ndihma e parë jetë shpëtuese dhe më pas kalon në shërbimet e specializuara.

Pandi Gjata: Rastet që ju trajtoni në Urdhrin e Mjekut janë më shumë ato që e kanë nisjen nga pasqyrimi në media apo janë raste të denoncimeve të personave të afërm.   

Din Abazaj: Urdhri i Mjekut pranon denoncime nga të sëmurët, familjarët , nga qytetarët, nga institucionet. Ne shqyrtojmë probleme edhe të bëra publike në media, siç janë edhe rastet e fundit.

Pandi Gjata: A mund të quhet gabim njerëzor kur kemi tre raste dhe pacienti ka humbur jetën dhe asgjë nuk mund të kompensohet?  A mund të përdoret termi gabim njerëzor edhe kur dikush ka humbur jetën?

Din Abazaj:  Janë 2 nocione të rëndësishme që ndodhin në shërbimet mjekësore është mjekimi i pakujdesshëm, i cili gjithmonë është faji dhe gabimi mjekësorë, për të cilin mjeku nuk ndëshkohet, pavarësisht nëse pacienti ka humbur jetën. Mjekimi i pakujdesshëm përbën vepër penale. Nga gabimet mjekësore nxirren mësime dhe duhet të ekzistojë një praktikë që mos të fshihen nga mjekët apo nga vetë institucionet, por duhet të raportohen me qëllim që të minimizohen dhe të mos përsëriten.

Pandi Gjata: Ju a keni fuqi si institucion për të vepruar për të gjitha këto raste apo ndjeheni të penguar në punën që bëni?

Din Abazaj: Ne kemi fuqi vepruese, me përjashtim të rasteve që përbëjnë çështje penale që edhe në rastet kur vinë te ne ja kalojmë organeve të drejtësisë. Pastaj ka raste kur ne i gjykojmë dhe marrim masat disiplinore.

Pandi Gjata: Si mund të zgjidhen konfliktet e lindura mes familjarëve të pacientëve që kanë humbur jetën dhe mjekëve?

Din Abazaj: Një përgjegjësi të madhe në këto raste kanë bluzat e bardha, të cilët duhet të dinë të komunikojnë me pacientët dhe familjarët e tyre. Ku është një problem që ne po e ngremë vazhdimisht, mjekët duhet të zbatojnë një parim themelor të kodit të etikës që të komunikojnë me hollësi dhe t’i kushtojnë vëmendje maksimale komunikimit. Pacienti dhe familjarët duhet të dinë me detaje për sëmundjen dhe me çfarë po mjekohet. Ku familjarët nuk janë të informuar dhe ndodh fatkeqësia, atëherë normalisht tek ata lind irritimi ndaj mjekëve. Ky është një konflikt, ku ekzistojnë mundësitë për t’u evituar.

Pandi Gjata: A mendoni se duhet të jetë edhe institucioni juaj i përfshirë në reforma?

Din Abazaj: Ne jemi të përfshirë në reformat e sistemit shëndetësor. Ne merremi kryesisht me standardet e ushtrimit të profesionit me zbatimin e normave të kodit të etikës dhe kemi një marrëdhënie bashkëpunimi me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me gjithë institucionet e tjera të sistemit shëndetësor sepse pa marrëdhënie të tilla aktorët e sistemit nuk mund të funksionojnë të vetëm. 

Top Channel