Hëna Rama: E papunë, ndihem e pavlefshme

14/05/2014 00:00

“Quhem Hëna Rama, kam mbaruar për Financë-Kontabilitet, me master shkencor sipas sistemit të Bolonjës. Kam dy vjet që kam mbaruar shkollën dhe nuk kam gjetur një punë të përshtatshme. Aktualisht jam shtëpiake”.

Ka 2 vite që ka përfunduar studimet, megjithatë kërkimet e shumta në kompani të ndryshme, por edhe në faqe e gazeta ku jepen njoftime për vende të lira pune, deri më tani kanë përfunduar pa asnjë rezultuat.

“Kam shkuar në një kompani që kërkonte ekonomiste për panele diellore, por kur shkova atje më thanë se kërkonin thjesht një arkëtare dhe, për më tepër, nuk donin të merrnin dikë me master, sepse kushdo do punonte 1 muaj apo 2 muaj dhe do ikë, ndërsa ata donin një punonjëse që të qëndronte më gjatë në atë punë. S’të merr njeri me master në një nivel të ulët pune”.

Gjatë kësaj periudhe është përpjekur të sigurojë disa të ardhura, duke mos punuar në profesionin e saj, por një herë si telefonuese e një herë si anketuese terreni.

“Pa punë jam ndjerë e pavlefshme, realisht jam e tillë, pasi kam sakrifikuar shumë gjëra dhe tani kam ngelur e papunë. Sigurisht që është një situatë me depresion, shumë të madh, por mundohemi ta kalojmë me mënyra të tjera”.

Megjithatë, thotë se ka investuar shumë për t’u shkolluar në profesionin e financieres, që nuk po i krijohet asnjë mundësi për ta ushtruar.

“Te zyra e punës kam mbi 1 vit që kam aplikuar si e papunë, por nuk kam marrë asnjë njoftim nga ana e tyre”.

Çdo ditë që kalon e demoralizon akoma më shumë. Është lodhur nga pritja, është lodhur duke u zgjuar çdo ditë, duke pasur si shqetësim kryesor punët e shtëpisë dhe çfarë do të gatuajë për drekë. Është në kulmin e rinisë dhe plot energji për të përmbushur të gjitha kërkesat e mundshme, që mund të kërkohen në një pozicion pune.

Top Channel