Dritan Dajti kërcënon me jetë gjyqtarin

13/05/2014 00:00

Në kohën kur policia ka vijuar rutinën e kontrolleve jashtë ambienteve të gjykatës, sipas një plani masash, ku për çdo seancë ndaj Dritan Dajtit ajo kontrollon mjedisin me qentë antieksplozivë, i pandehuri brenda e theu rutinën.

Nga ironitë me gjykatën, ku përgjatë këtyre pesë viteve ka deklaruar se nuk kishte mundësi financiare të paguante një avokat e për këtë ishte i pambrojtur, Dajti kërcënoi në mënyrë të drejtpërdrejtë relatorin e çështjes, Idriz Mulkurti.

“I ke hapur vetes belanë më të madhe, mbaje mend. S’janë asgjë mushkonjat, që diskutove sot në gjyqin tjetër, nuk më bëhet vonë për asgjë, mbaje mend dhe do ta shohësh, po ta them këtë para gazetarëve”.

Kjo ishte deklarata e Dajtit drejtuar gjyqtarit Mulkurti, ndërsa menjëherë pas kërcënimit ai u largua nga salla. Kjo deklaratë u dha në kohën, kur relatori i çështjes Mulkurti po lexonte vendimet e ndërmjetme të gjykatës, në të cilën u refuzuan disa nga kërkesat e të pandehurit, sikurse zhvarrimi i policit Kastriot Feskaj, këqyrja e makinës nga u kryen vrasjet në Gusht 2009, rindërtimi i vendngjarjes, si dhe ekspozimi i rrobave të policëve të vrarë para gjykatës, në mënyrë që të shpjegoheshin gjurmët e predhave.

Gjykata pranoi vetëm një kërkesë të Dajtit, atë të pyetjes së 15 ekspertëve kriminalistë dhe të morgut. Në mbyllje të seancës, Top Channel kontaktoi me krerë të Gjykatës së Krimeve të Rënda, të cilët deklaruan se do të informojnë urgjent Policinë e Shtetit për situatën e krijuar në seancën e radhës, dhe se i takon pikërisht këtyre strukturave të vlerësojnë, nëse do të merret apo jo në mbrojtje gjyqtari i kërcënuar.

Top Channel