Rama prezanton projektin e Parkut Olimpik

03/05/2014 00:00

Rezultatet e sportisteve tanë në Europianin e fundit te Peshëngritjes,
Erkand Qerimaj dhe Daniel Godelli, bashkë me rezultatet shumë të mira të
Luiza Gegës në Botërorin e Atletikës, nuk kanë kaluar pa vëmendjen e
Qeverise.

Kryeministri Rama i ka pritur të gjithë këta sportistë elitarë, bashkë me shumë sportistë e trajnerë të tjerë.

“Në rradhë të parë, do të doja që të ndaja me ju të gjithë, përmes kësaj salle me të gjithë dashamirësit e sportit, një projekt që është jo dhurata për Erkandin, për Danielin dhe për të gjithë gjeneratën e re të kampionëve tanë, por është dhurata që kampionët tanë i bëjnë më në fund pas mbi 20 vitesh, këtij sporti, ku Shqipëria ka patur, ka edhe do të ketë kampionë”, tha Rama.

Bëhet fjale për shndërrimin e kompleksit aktual “Dinamo”, në një park i cili do të quhet Parku Olimpik i Tiranës, ku do të fillohet me palestrën më emergjente, atë të peshngritjes, më pas një ndërtesë ku do të bashkohen të gjitha federatat sportive, të cilat aktualisht qëndrojnë poshtë shkallëve të stadiumit “Qemal Stafa”. Po ashtu edhe në një hap tjetër, i cili ka si afat, sipas Kryeministrit 4 vite, do të ndërtohet edhe një palestër lojrash me dorë me një kapacitet rreth 1500 vendesh.
 
Nderkohe, pas premtimeve të zonjës Lindita Nikolla, ministre e Arsimit dhe Sportit, për rikthimin e vëmendjes tek sporti në shkolla, duke shtuar minimalisht 3 orë në javë në sistemin parauniversitar, edhe deputeti Fidel Ylli, i cilësuar si dekani i sportit nga Kryeministri Rama, tha se Qeveria po mban zotimet e draftprogramit te sportit.

Ndërkohë ka qenë trajneri i kombëtares së peshëngritjes dhe i Erkand Qerimajt, Zef Kovaçi, që falenderoi Qeverine për kthimin e vemendjes ndaj sportit.

“Ju uroj zoti Kryeministër. Kam takuar në aeroport pas 20 orëve garë, ministrin Tahiri, që nuk e kisha takuar kurrë. Ai ofroi dicka pa kërkuar gjë. Zonja ministre, ka dalë në shi dhe na ka pritur dhe sportistët u emocionuan nga sjellja e treguar prej saj. Krenohemi me këta djem dhe shpresojmë që të kemi edhe të tjerë si ata”, tha trajneri.

Dhe në fund, kur mes shumë projektesh të para deri më tani, Kryeministri Rama jep si afat një vit, deri në përfundimin e palestrës së re të peshngritjes, si projekti i parë emergjent.

“Besoj që vitin e ardhshëm do të jemi bashkë në inaugurimin e këtij kompleksi të madh, ku shiritin do ta presë Erkandi me profesor Zefin, se unë nuk pres shirita. Mendoj, që një Kryeministër nuk duhet të presë shirita dhe unë nuk pres shirita. Aq më tepër se kanë prerë të tjerët para meje aq shirita, sa i ka harxhuar Shqipëria shiritat për 20 vitet e ardhshme, kështu që në zërin ‘shirita’, nuk kemi asnjë lek për të shpenzuar për 20 vjet”, shtoi Rama.

Top Channel