Familjarët braktisin nënën që mbyti foshnjën

03/05/2014 00:00

Nëna që mbyti me jastëk foshnjën e saj dymuajshe e ka pritur me të qara
masën e sigurisë “arrest me burg” të dhënë ndaj saj nga Gjykata për
Krimet e Rënda, ndërkohë që seanca është ndërprerë disa herë për shkak
të gjendjes së saj emocionale.

Oriola Lleshi kishte deklaruar në prokurori se shtatzënia e saj kishte ardhur pasi ka rënë pre e një përdhunimi nga kushëriri i burrit, por para togave të zeza ka zgjedhur të heshtë, ndërkohë që avokatja e saj ka kërkuar masë me afat, derisa të kryhet akt-ekspertimi për gjendjen e saj psikike. Në gjykatë, Lleshi është braktisur edhe nga familja e saj, pasi asnjë prej tyre nuk ka qenë i pranishëm gjatë vlerësimit të masës së sigurisë.

Masa e sigurisë

Nëna nga fshati Kutërman i Librazhdit nuk foli gjatë së gjithë kohës kur zhvillohej seanca gjyqësore. Ajo qëndroi kokulur, duke qarë dhe vetëm në momentin kur është pyetur për gjeneralitetet i është përgjigjur gjyqtarit Klodian Kurushi. Asnjë nga familjarët e saj nuk ishin të pranishëm në seancë, duke e braktisur gjatë procesit gjyqësor, ashtu siç kanë lënë në morg edhe foshnjën e mbytur prej saj. Që në fillim të seancës, ajo ia ka plasur të qarit dhe janë dashur shumë minuta për qetësimin e saj, kështu që është ndërprerë seanca për të rifilluar më vonë pa praninë e mediave. Por, sërish, ajo nuk ka qenë mirë, kështu që duke parë gjendjen e rënduar të saj, gjykata vendosi që të kryhet akt-ekspertimi psikik i saj.

Prokurori i çështjes

Kurse prokurori i çështjes është shprehur se nëna ka deklaruar se është përdhunuar, por nga burimet e tjera mësohet se pas ballafaqimit me personin e pretenduar si dhunues i saj, ka rezultuar deklarim i rremë. Sipas prokurorit, ajo ka pranuar se ka dy vjet që nuk e ka takuar bashkëshortin dhe se ka pasur presion të vazhdueshëm nga të afërmit. “Lleshi është shprehur se është përdhunuar. Gjatë së gjithë seancës, vetëm ka qarë. S’ka thënë asnjë fjalë”, është shprehur prokurori pas masës së sigurisë. Ndërkohë, avokatja e saj ka kërkuar caktim mase me afat, kërkesë e cila është hedhur poshtë nga gjykata. Pasi ka dëgjuar palët, Gjykata për Krimet e Rënda ka vendosur “burg pa afat” për nënën, që akuzohet se ka vrarë foshnjën e saj.

Mbytja e foshnjës

Pas arrestimit, Oriola Lleshi kishte dhënë disa versione për vdekjen e foshnjës, ndërkohë që në fund pranoi në polici mbytjen e saj, por pretendoi se fëmija ishte fryt i përdhunimit nga një kushëri i bashkëshortit. Por, gjatë ballafaqimit me të riun dëshmia e saj ndryshoi. Ndërkohë, kushëriri i burrit mësohet se nuk e ka pranuar akuzën e ngritur ndaj tij, por as lidhjen intime me të. Mbytjen e foshnjës, Oriola Lleshi e justifikoi për shkak të gjendjes së rëndë psikologjike të krijuar pas sherrit dhe debatin me bashkëshortin, që ka refuzuar të njohë atësinë.

Viktima në morg

Ndërsa nëna e akuzuar për vrasje do të qëndrojë në burg, foshnjën 6-javëshe nuk ka kush ta varrosë. Mësohet se trupi i pajetë vazhdon të qëndrojë në morg, ndërkohë që familja e Oriolës nuk ka pranuar ta marrë e t’i kryejë ritet e fundit. Në të njëjtën mënyrë ka vepruar edhe familja e bashkëshortit të saj. Një ditë më parë, Policia e Elbasanit ka kontaktuar me të dy familjet për të tërhequr trupin e foshnjës, por ato kanë refuzuar, duke deklaruar se nuk kanë asnjë përgjegjësi për ta bërë këtë gjë. Foshnja që lindi e pafajshme dhe u mbyt nga nëna në gjumë, nuk do të ketë një varr deri në momentin që pritet të veprojë njësia vendore, ku është regjistruar, për të kryer ajo ritet e fundit. Sipas policisë kanë qenë të kota tentativat për të bërë varrimin e foshnjës, që ka mbi tri ditë që qëndron në morgun e spitalit.

Top Channel