Ekspertiza: Foshnja vdiq nga një trup i huaj në rrugët e frymëmarrjes

03/05/2014 00:00

Foshnja dymuajshe V.J., në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”
në Tiranë, ka gjetur vdekjen si pasojë e një trupi të huaj në rrugët e
frymëmarrjes.

Ky konkluzion është dhënë nga ekspertiza mjekoligjore, e cila bën me dije se në trupin e viktimës është konstatuar një trup i huaj. Ajo është konstatuar në pjesën e fytit, e cila lidhet edhe me rrugët e frymëmarrjes. Foshnja nuk ka qenë në gjendje që të marrë frymë dhe si pasojë ka humbur jetën.

Këto janë disa nga konkluzionet paraprake që kanë dalë nga ekspertiza mjekoligjore, ndërkohë që duhen disa ditë që të dalë raporti përfundimtar. Ekspertët janë duke punuar deri në konkludimin përfundimtar të shkaqeve që çuan në vdekjen e vogëlushes për të vlerësuar nëse mjekët janë përgjegjës apo jo. Ndërkaq, prindërit akuzojnë mjekët për neglizhencë dhe për paaftësi. Ata thonë se më 28 prill 2014 janë paraqitur të shqetësuar në pediatri, duke u bërë të ditur mjekëve se fëmija kishte gëlltitur një lodër të vogël, e llojit gogël, gjatë lojës me fëmijën tjetër katërvjeçar. Prej goglës, fëmija kishte probleme me frymëmarrjen. Mjekët specializantë, të identifikuar me inicialet K.K., 31 vjeç, dhe G.N., 28 vjeç, që të dy banues në Tiranë, kanë marrë përsipër fëmijën.

Sipas të dhënave, foshnja i është nënshtruar kontrollit në pediatri. Pas një kontrolli të bërë në këtë pavijon, nuk është konstatuar prania e një trupi të huaj në hundë. Më pas, viktima ka bërë një tjetër kontroll te mjekët, të cilët arritën në të njëjtin konkluzion se fëmija nuk kishte asgjë të huaj në trup. Prindërit janë qetësuar dhe kanë shkuar në shtëpi. Tri orë më vonë, gjendja e vajzës dymuajshe është përkeqësuar, pasi kishte vështirësi në frymëmarrje dhe prindërit e kanë dërguar sërish në spital. Disa minuta më vonë, ajo ka gjetur vdekjen.

Dy ditë më vonë, familjarët e viktimës kanë denoncuar rastin në Komisariatin Nr. 4, të cilat akuzojnë mjekët për pakujdesi dhe neglizhencë. Ata thonë se mjekët nuk janë treguar të kujdesshëm për kurimin e vajzës, ndonëse ata kishin përshkruar me detaje simptomat e viktimës. Njëkohësisht, prindërit e viktimës pretendojnë se mjekët u kishin garantuar jetën e vajzës, duke thënë se mund të shkonin në shtëpi, pasi shëndeti i saj nuk paraqiste më rrezik për jetën.

Pas marrjes së kallëzimit, policia tha se pritet të merren në pyetje mjekët specializantë, ndërkohë që është sekuestruar kartela e viktimës. Ekspertët do të vlerësojnë veprimet e mjekëve me rastin në fjalë, ndërkohë që mësohet se dy mjekët specializantë K.K., 31 vjeç, dhe G.N., 28 vjeç, janë dërguar për ndjekje penale. Burimet zyrtare të policisë thonë se më 30 prill 2014 ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për mjekët specializantë në një spital privat, pasi dyshohet se rreth orës 04:30, në urgjencën e pediatrisë ka vdekur fëmija V.J. Specializantët janë në vitin e katërt dhe, sipas ligjit, ata kanë të drejtë që të kryejnë shërbime mjekësore. Ndërkaq, burimet zyrtare spitalore thonë se specializantët vazhdojnë që të jenë në krye të detyrës dhe se ndaj tyre nuk është marrë asnjë masë.

 

Top Channel