Grabitësi i marketit, përdorues i kazinove

02/05/2014 00:00

Një 30-vjeçar, përdorues i lojërave të fatit, është arrestuar nga
shërbimet e policisë për grabitjen e marketit, mbremjen e të enjtes në
Durrës.

Struktura Kundër Vjedhjeve me Armë dhe Dhunë në Policinë e Durrësit arriti të identifikojë e kapë autorin e dyshuar të vjedhjes me armë ndodhur ne nje supermarket në lagjen nr.18 të qytetit të Durrësit dhe arrestoi në flagrancë si autor të dyshuar të saj shtetasin Fatmir Lukaj, 30 vjeç, banor i lagjes nr.18, ku ndodhi dhe grabitja.

Rreth orës 20.20, Lukaj i maskuar dhe nën kërcënimin e një arme zjarri, pistoletë,  ka vjedhur në kasën e nje  njësie tregtare shumën prej rreth 20.000 lekë dhe më pas është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Ai u kap në banesë ku iu gjet e iu sekuestrua edhe një arsenal sendesh të përdorura përgjatë grabitjes përfshirë armën e zjarrit, kapuçin, veshjet që mbante gjatë grabitjes, ndërsa shumën e vjedhur ky shtetas dyshohet ta ketë shpenzuar në lojra fati.

Top Channel