Skandali i të liruarve nga gjykata

01/05/2014 00:00

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë ditës së mërkurë në qytetin e Elbasanit. Një person me precedent penal është ekzekutuar.

Në vitin 2013 viktima ishte arrestuar si i dyshuar për një vjedhje, por gjatë masës së sigurimit personal, Gjykata e Shkallës së Parë në Elbasan i kishte dhënë lirinë, duke vendosur një masë më të lehtë, atë të sigurimit “detyrim me paraqitje”.

Për të folur mbi këtë rast, por edhe për raste të tjera të ngjashme, ku persona me precedentë penalë janë ekzekutuar pasi janë lënë të lirë nga gjykata, ishte në një lidhje telefonike në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Pandi Gjata: Ditë më parë ju i keni dërguar zotit Nishani një letër ku i rendisni të paktën 100 dosje me vendime gjykatash. A ishte rasti në fjalë në këtë dosje që ju i dorëzuat Presidentit Nishani?

Saimir Tahiri: Do të doja ta shmangia përgjigjen në rastin konkret, pasi në vlerësimit tonë, duke respektuar institucionin e Presidentit, por mbi të gjitha duke gjykuar se debati mbi vendimet e gjykatave mund të jetë një çështje private. Kemi vlerësuar që një debat publik i shëndosh lidhur me vendime gjykatash, ku ka edhe vendime absurde, jashtë çdo logjike ligjore i shërben shoqërisë. Dua t’i shmangem përgjigjes konkrete sepse jemi përsëri përball fabulës së riciklimit të kriminalitetit. Jo rrallë ndodh që vendime gjykatash e hedhin poshtë punën e policisë dhe gjendemi sërish përball situatave si kjo e sotmja, ku vendime gjykatash kthehen gati në vendime ekzekutimi për jetë njerëzish.

Pandi Gjata: Duke marr shkas edhe nga kjo ngjarje a keni marrë ju një përgjigje për letrën që i keni drejtuar Presidentit?

Saimir Tahiri: Jo nuk kam marr përgjigje. Është e rëndësishme që institucionet të vihen në lëvizje për të pasur një ritëm në luftën kundër krimit. Është shumë e nevojshme që të kemi të njëjtin angazhim bashkë me publikun dhe mbi të gjitha të njëjtin ritëm mbi këtë kuadër. Ministria e Drejtësisë ka dhënë sinjale pozitive, në rastin e gjyqtarit të Kavajës ishte rasti i parë që u adresova Presidentit të Republikës, por pas kësaj ka pasur edhe 2 raste të tjera që kanë qenë shumë më të zgjeruara dhe kjo do të kthehet në praktikë të ministrisë. Nuk është policia diga e parë dhe e vetme në luftën kundër krimit. Kush e drejton gishtin ndaj policisë banë gabimin e madh që fsheh për sutë e publikut përgjegjësinë që kanë edhe aktorët e tjerë.

Pandi Gjata: A mendoni se duhet një reagim i shpejtë i KLD-së, por edhe i Prokurorisë tashmë që kemi një rast konkret?

Saimir Tahiri: Konkret ishte edhe vrasja e 2 shtetasve në të dalë të Tiranës dhe ishte një rast mjaft i rëndë, pasi Gjykata e Apelit i kishte liruar edhe pse bëhej fjalë me persona me karrierë të theksuar kriminale. Inkurajoi institucionet të bëjnë detyrën, por kjo nuk mjafton, duhet një debat i shëndosh që na vë shoqërisht në reflektim, lidhur me sa të përgatitur jemi për të drejtuar gishtin te plagët e drejtësisë penale, pa përjashtuar policinë. Një përgjigje e shpejtë që të vjen për rastin e sotëm është nëse do të ishte në burg ky person atëherë nuk do të ishte vrarë, por kjo përsëri e redukton problemin, duhet një debat shumë më i shëndosh në shoqëri.  

Pandi Gjata: A keni një listë të dytë në adresë të Presidentit Nishani?

Saimir Tahiri: Kam urdhëruar që strukturat e policisë në qarqe të bëjnë këtë shqyrtim dhe këtë ndjekje mbi baza mujore. Do të përpiqem që t’i bëjë të ditur publikut, por edhe ministrit të Drejtësisë edhe Presidentit të Republikës për vendime, të cilat në konsideratën tonë janë liberale dhe shkojnë pastaj në absurde. E theksoj liberale, pasi vendimi në një situatë të caktuar mund të mos jetë tërësisht i paligjshëm, por liberal deri në pikën sa të lë një kriminel jashtë, kjo ndodh shpesh. Ne do të vazhdojmë ta ndjekim këtë si praktikë pasi besojmë se sensibilizimi publik është presioni më i mirë për të detyruar institucionet të vihen në të njëjtën llogore. Me gjithë respektin që kam për institucionin e Presidentit të Republikës, KLD-në dhe për sistemin gjyqësor besoj që e përmbushim respektin ndaj njëri tjetrit duke u vënë në mënyrë reciproke në kushtet e punës për t’i dhënë vendit më shumë drejtësi dhe luftë efikase ndaj kriminalitetit, në mënyrë që drejtësia të mos jetë vetëm për disa.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA