Aktori britanik Bob Hoskins, i bërë i famshëm më së shumti për rolet e tij në filmin “The Long Friday” dhe “Who Framed Roger Rabbit” ndërroi jetë në moshën 71-vjeçare.

Hoskins vuante prej kohësh nga pneumonia. Ai ndërroi jetë në spital i rrethuar nga familjarët e tij, thuhet në njoftimin e zëdhënësit të aktorit.

Fitues i një cmimi Bafta dhe i nominuar për Oscar në vitin 1987 për rolin e tij në dramën “Mona Lisa”, Hoskins njoftoi tërheqjen nga karriera dy vjet më parë, pas analizave shëndetësore që e kishin nxjerrë me parkinson.

“Ne jemi të tronditur nga humbja e Bobit tonë të dashur”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të bashkëshortes së tij Linda, djemve të tij Alex dhe Jack e vajzave të tij Sarah dhe Rosa.

Karrierën e nisi si aktor teatri përpara se të zbarkonte në televizion dhe kinema. Është shfaqur në spektakle si “Play for Today”, “On the Move”, “Van der Valk” dhe në dramën e BBC “The Street”, ndërsa në film mbahet mend gjithashtu edhe për rolet e tij në “Mermaids”, “Hook”, “Mrs Henderson Presents” dhe “Made in Dagenham”.

Roli i tij i fundit ishte në vitin 2012 në filmin “Borëbardha dhe Gjahtari”.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel