Ukrainë, pro rusët aktivizohen sërish

29/04/2014 00:00

Protestues pro rusë në rajonin e Luhanskut, në lindje të Ukrainës u grumbulluan sërish ditën e martë dhe vunë nën kontroll një godinë qeveritare.

Një video amatore që po qarkullon në internet tregon flamurin rus tek valvitet në krye të godinës. Turma brohoret “Referendum Rusia” dhe udhëhiqej nga një grup të rinjsh të maskuar dhe të “armatosur” me mjete shifra hekuri në duar.

Autoritetet ukrainase nuk kanë komentuar ende situatën e përshkallëzuar në orët e fundit në lindje të vendit. Më herët protesta pro unitetit të Ukrainës u zhvilluan në Donetsk, ku u regjistruan edhe incidente të rënda.

Gjithçka po shkonte normalisht deri në momentin kur një grup pro-rusësh, të maskuar dhe me shkopinj gome dhe me thika, kanë sulmuar mbështetësit e Kievit. Rreth 500 persona pro-rusë hodhën gurë si edhe granata tymuese bë drejtim të turmës me mbi 1 mijë persona. Forcat e policisë e patën të pamundur të shmangnin përplasjet.

Më herët, gjatë ditës së hënë Shtetet e Bashkuara i vendosën sanksione shtatë zyrtarëve rusë dhe 17 kompanive të lidhura me “rrethin e ngushtë” të presidentit Vladimir Putin.

Uashingtoni shpjegoi se “kjo ishte përgjigja për ndërhyrjet e paligjshme të Moskës në Ukrainë”.

Mes personave ndaj të cilëve u vendosën sanksione janë: Igor Sechin, kreu i gjigantit të naftës “Rosneft” dhe deputeti me influencë Aleksei Pushkov. 17 kompanitë e shenjestruara lidhen me individët e përfshirë në listën e mëparshme të sanksioneve.

Moska zyrtare ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me rritjen “e papreçedentë” të aktivitetit ushtarak mes Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s në vendet pranë kufirit me Rusinë. Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu ia shprehu shqetësimin homologut amerikan Chuck Hagel, në një bisedë telefonike të zhvilluar me të.

Nga ana e tyre, zyrtarët e Pentagonit deklaruan se zoti Shoigu përsëriti zotimin se Rusia nuk do ta pushtojë Ukrainën. Shtetet e Bashkuara njoftojnë se kanë vendosur trupa shtesë në Europën Lindore për të garantuar aleatët e NATO-s.

Në një deklaratë për shtyp, zoti Shoigu deklaroi se kishte zhvilluar një bisedë “të ngrohtë” telefonike për rreth një orë me homologun amerikan.

Ai theksoi se aktiviteti ushtarak mes Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s në lindje të Europës ishte shoqëruar nga deklarata “provokuese” mbi nevojën për të frenuar Rusinë.

Ministri i Mbrojtjes njoftoi gjithashtu se trupat ruse ishin kthyer në pozicionet e tyre të përhershme” pas kryerjes së stërvitjeve ushtarake në kufi me Ukrainën. Por ai nuk tha nëse numri total i trupave ruse të vendosura në rajon, që thuhet të jetë rreth 40 mijë, është reduktuar.

Nga ana tjetër, Departamenti amerikan i Mbrojtjes saktësoi se zoti Shoigu kishte dhënë garanci se Moska nuk ka në plan të pushtojë Ukrainën.

Top Channel